Google ADS

Presidenti i Greqisë kërcënon Shqipërinë: Po dëmton procesin e anëtarësimit

14:22 | 15 Tetor 2017
Arbresh.info

Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka dhënë një tjetër mesazh për Shqipërinë në lidhje me integrimin europian. 

Duke folur nga Korfuzi, Presidenti grek i është referuar sërish çështjes së pronave të minoritetit grek në Himarë.

Ai ka thënë se sjelljet brutale ndaj të drejtave të njeriut nuk mund të tolerohen. Këto komente, Pavlopoulos i bëri duke kujtuar një politikan grek, që ka shërbyer gjatë Perandorisë Ruse.

“Ioannis Kapodistrias jep shembullin e një lideri të madh. Një udhëheqës i madh jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë Evropën. Kjo duhet të frymëzojë grekët, por duhet të frymëzojë edhe ata që kanë aspirata për t’u bashkuar me BE-në. Këtë e them edhe për fqinjët tanë, Shqipërinë, vendi me të cilin duam të kemi gjithmonë marrëdhënie të mira.

Por sjelljet aventureske ndërkombëtare, si ato që shikojmë së fundmi mes Tiranës dhe Prishtinës, janë sjellje brutale që shkelin të drejtat e njeriut dhe në rastin e minoriteteve, të drejtën e pronës. Për fat të keq, Shqipëria po dëmton procesin e anëtarësimit dhe kjo nuk është përgjegjësia jonë. Megjithatë ne nuk do të rrimë indiferentë karshi sjelljeve të tilla. Ne i detyrohemi Greqisë dhe Evropës”, u shpreh Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos.

Kreu i shteti grek mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për Ioannis Kapodistrias, një politikan grek i lindur në Korfuz në vitin 1776 dhe që ka shërbyer si Guvernatori i parë i Greqisë, ministër i Jashtëm i Perandorisë Ruse dhe është diplomat i njohur në të Evropën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme