Presidenti i Gjermanisë: Demokracia jonë është e fuqishme, por duhet të respektojmë edhe të tjerët

17:07 | 24 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka bërë thirrrje në fjalimin e tij për Krishtlindje për më shumë afërsi mes njerëzve, më shumë dialog dhe kompromis transmeton arbresh.info

Grindjet politike dhe shoqërore në Gjermani janë ashpërsuar shumë gjatë vitit 2018. Shumë shpesh flitet për përçarjet shoqërore dhe largimin e politikanëve prej qytetarëve. Në veçanti në kohën e rrjeteve sociale janë shtuar këto dallime dhe grindje, është shtuar mllefi dhe zemërimi. Këtu nuk bëhet fjalë shpesh për shkëmbim mendimesh apo debate.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka tematizuar në fjalimin tradicional për Krishtlindje, pikërisht këto dallime: “Këtu kemi helmime, ngritje zërash dhe mllef.” Ai ka përshtypjen se “gjermanët po flasin gjithnjë e më pak me njeri-tjetrin”, ndonëse grindjet dhe dallimet janë shtuar. E pikërisht bisedimet e përbashkta janë pjesë e demokracisë.

Angazhimi i secilit
“Demokracia jonë është e fuqishme!”, theksoi presidenti. Steinmeier e ka fituar këtë përshtypje gjatë takimeve dhe bisedimeve me miliona njerëz. “Secili duhet të angazhohet – në shoqata, politikë, në spitale, polici, tek zjarrfikësit apo dhe në takime me fqinjët.” Edhe Krishtlindjet janë kohë e mirë për takime dhe bisedime, shkëmbimin e mendimeve.
Steinmeier paralajmëron se “demokracia është e fuqishme, por vetëm aq sa e bëjmë ne të fuqishme”. Ne, sipas tij, duhet të mbrojmë mendimin tonë, por duhet të respektojmë edhe mendimet e të tjerëve. “Në fund duhet të gjejmë një kompromis, e kompromisi nuk është dobësi! Aftësia për të arritur kompromis është fuqi e demokracisë.”

Vendet tjera
Ky është fjalimi i dytë i Frank-Walter Steinmeierit si president. Ndryshe nga viti i kaluar, kësaj radhe ai ka përmendur edhe vendet tjera. Steinemeier përmendi Francën dhe barrikadat atje, dallimet e mëdha në SHBA, shqetësimet për rrugën e Birtanisë së Madhe pas Brexitit, zhvillimet shqetësuese në Evropë, në Hungari, Itali dhe vende të tjera. “Gjermanët natyrisht që nuk janë të kursyer nga këto zhvillime”, thotë ai. Ndaj edhe dialogu, shkëmbimi i mendimeve, grindjeve dhe komprimisit janë më të domosdoshme se kurrë më parë.
“Edhe tek ne në Gjermani ka pakënaqësi, frikë dhe zemërim”, thotë presidenti. Dhe pikërisht për këtë shkak, duhet të bisedojmë mes vete edhe në familje, me të njohurit dhe miqtë gjatë festës së Krishtlindjeve!”

“Të gjithë ne” jemi Gjermani
Më shumë se zërat e lartë dhe mllefosjet shqetëson “heshtja e shumë të tjerëve”. Gjithnjë e më shumë njerëz hezitojnë të thonë mendimin e tyre, fshihen në rrethin e njerëzve që menojnë si ata, nuk e thonë mendimin e tyre hapur. Ndarjet dhe përkufizimet e këtilla nuk janë të dobishme. “Ne të gjithë jemi pjesë e Gjermanisë, pavarëisht nga prejardhja apo ngjyra e lëkurës, stili i jetës apo ekipi që simpatizojmë.”/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme