Presidenti i Filipineve mirëpritet në Shtëpinë e Bardhë, mes shqetësimeve për Kinën

16:28 | 2 Maj 2023
Orgesa Haziri

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., vizitoi Shtëpinë e Bardhë të hënën në një periudhë tensionesh në rajonin e Indo-Paqësorit.

Presidenti Joe Biden tha se përkushtimi amerikan ndaj arkipelagut është i garantuar. Sipas Zërit të Amerikës rritja e bashkëpunimit ushtarak ka mundësuar që Filipinet t’u japin qasje Shteteve të Bashkuara edhe në katër baza të reja ushtarake.

Një takim i tillë nuk ishte bërë në një dekadë. Herën e fundit që një president i Filipineve ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë, ka qenë në vitin 2012.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë dhe jo vetëm udhëheqësit. Të hënën, Presidenti Biden foli për rrezikun më të madh dhe ofroi mbështetje për Filipinet nëpërmjet një marrëveshjeje për bashkëpunimin e mbrojtjes që do të forconte sigurinë dhe do të modernizonte ushtrinë e saj.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me një angazhim të garantuar për mbrojtjen e Filipineve, përfshirë në Detin e Kinës Jugore, dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për objektivat e modernizimit ushtarak të Filipineve”, tha Presidenti Biden.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., tha se vendi i tij është në vijën e parë të tensioneve për Detin e Kinës Jugore.

“Ka edhe çështje gjeopolitike që në rajonin e Filipineve kanë krijuar situatën ndoshta më të komplikuar gjeopolitike në botë. Pra është e natyrshme që Filipinet t’i kthejnë sytë nga vendi i saj partner, për të forcuar dhe ripërkufizuar marrëdhënien që kemi dhe rolet që luajmë mes tensioneve që shohim përreth Detit të Kinës së Jugut, në Azi dhe Paqësor”, tha zoti Marcos.

Kina ka provokuar në mënyrë të përsëritur patrullat e marinës dhe të rojes bregdetare të Filipineve dhe kundërshton përqasjen e Manilës.

“Çelësi për paqen dhe stabilitetin në rajonin Azi-Paqësor gjendet tek fakti që vendet në rajon mbështeten tek besimi i ndërsjellë, uniteti dhe bashkëpunimi, dhe që ta ruajnë vetë sigurinë e tyre. I kujtojmë edhe njëherë vendit rajonal që i shërben verbërisht forcave jorajonale se jo vetëm që do të dështojë për ruajtjen e sigurisë së tij, por do të rrisë tensionet, do të rrezikojë paqen dhe stabilitetin rajonal, dhe në fund të fundit do të dëmtojë veten”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Analistët thonë se kjo reflekton një ndryshim të madh të marrëdhënieve.

“Ka patur një ndryshim dramatik gjatë tetë muajve të fundit, një thellim dhe institucionalizim me ritëm të shpejtë të marrëdhënies në fushën e mbrojtjes”, thotë Brian Harding, nga Instituti për Paqen i Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët thonë se kjo nuk është një situatë ku Filipinet janë të shtrënguara të zgjedhin njërën palë. Pekini dërgoi rishtazi ministrin e jashtëm në Manila për t’u takuar me homologun, duke dhënë kështu sinjale për një partneritet të fortë.

“Mendoj se Filipinet dhe Presidenti Marcos po manovrojnë mes këtyre dy interesave strategjike apo kombëtare: siguria në njërën anë, ndoshta me Shtetet e Bashkuara; tregtia dhe investimet në anën tjetër. Kina është partnerja kryesore tregtare për të gjitha vendet e Azisë Juglindore, përfshirë Filipinet”, thotë Marc Mealy, nga Këshilli i Sipërmarrjes SHBA-ASEAN.

Deklarata e përbashkët e dy udhëheqësve nuk përmend se zoti Marcos po i viziton Shtetet e Bashkuara me statusin e imunitetit diplomatik, megjithë vendimin e Shteteve të Bashkuara të marrë ndaj babait të tij në vitin 2012 për të paguar zhdëmtime për shkeljet e të drejtave të njeriut viktimave të regjimit të tij në vitet 1980.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme