Presidenti finlandez deklarohet pas qëndrimit të Turqisë për hyrjen e dy shteteve në NATO

13:15 | 17 Maj 2022
A. B.

Finlanda dhe Suedia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë lidhur me kundërshtimin e Ankarasë që këto dy shtete nordike t’i bashkohen aleancës së NATO-s.

Kështu tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, gjatë një adresimi para Parlamentit suedez më 17 maj.

“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shpejt dhe u bënë më të ashpra gjatë ditëve të fundit”, tha Niinisto.

“Por, jam i sigurt se me ndihmën e diskutimeve konstruktive, ne do të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë”, tha ai.

Suedia më 17 maj zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore, NATO, ndërkaq Finlanda pritet që ta bëjë të njëjtën gjë së shpejti. Këto dy shtete kanë argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Më 16 maj, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sërish shprehu kundërshtimin e tij për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në NATO.

Ai tha se këto dy shtete kanë dështuar të kenë një qëndrim të fortë kundër militantëve kurdë dhe kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj Turqisë.

“Asnjëri nga këto dy shtete nuk ka një qëndrim të hapur, të qartë dhe të fortë kundër organizatave terroriste”, tha Erdogan.

“Ne nuk mund të themi ‘po’ për ata që kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë për anëtarësimin në NATO, që është një organizatë e sigurisë”, shtoi lideri turk.

Madje, Erdogan tha se delegacionet e Suedisë dhe Finlandës, që pritet këtë javë të qëndrojnë në Turqi, nuk duhet të vizitojnë Turqinë nëse ata shpresojnë që ta bindin Ankaranë për të ndryshuar mendje sa i përket anëtarësimit të tyre në aleancën ushtarake perëndimore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme