Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në bisedën telefonike Erdoğan-Steinmeier u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Gjermani dhe temat rajonale, përfshirë çështjen e migrimit, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë.
Erdoğan ka falënderuar presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për fjalët e tij të mira për komunitetin turk në Gjermani dhe Turqinë në panelin e mbajtur të premten e kaluar me rastin e 60-vjetorit të Marrëveshjes së Punës Turqi-Gjermani.
Duke vënë në dukje se Turqia dhe Gjermania, si aleatë të NATO-s, shfaqën solidaritet dhe koordinim të admirueshëm gjatë procesit të evakuimit nga Afganistani, presidenti Erdoğan deklaroi se i njëjti mirëkuptim duhet të ruhet gjatë periudhës kritike që po kalon Afganistani.
Duke folur për çështjen e dërgimit të ndihmës së nevojshme humanitare në Afganistan nga OKB-ja dhe organizatat e tjera të ndihmës, Erdoğan ka thënë se askush nuk do të donte të përjetonte një përvojë të ngjashme me valën e refugjatëve sirianë të vitit 2015, dhe që në këtë drejtim, Gjermania dhe Bashkimi Evropian duhet të sigurojnë mbështetje për vendet fqinje që mbajnë barrën e migrimit nga Afganistani.
Ai ka theksuar se disa vende evropiane e kanë reduktuar çështjen vetëm në sigurinë kufitare, duke shtuar se Turqia nuk ka kapacitet për të përballuar një barrë të re migrimi.
Erdoğan po ashtu ka treguar pritshmërinë e ligjshme të Turqisë për zbatimin e Marrëveshjes së 18 Marsit me të gjitha dimensionet e saj, duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për çështje si rifillimi i negociatave të pranimit, azhurnimi i Bashkimit Doganor dhe liberalizimi i vizave për qytetarët turq.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për ndërprerjen e ndeshjes Ko...
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...
Njoftimi i UEFA-s për ndeshjen Rumani-Kosovë
Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë
Përfshihet nga flakët një ndërtesë banimi në Kinë, të paktën...
Arrestohen dy persona në Lipjan pas një mosmarrëveshje për p...