Presidenti Erdoğan shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas

23:14 | 7 Mars 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dërgoi urim me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, transmeton Anadolu Agency (AA).

“I përgëzoj të gjitha gratë tona, të cilat janë shpresa e njerëzimit me dashurinë, përpjekjet dhe sakrificat e tyre, në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, thuhet në porosinë e presidentit Erdoğan.

Ai gjithashtu tha se i kushton një rëndësi të madhe pranisë së grave në të gjitha fushat, duke përfshirë arsimin, artin, ekonominë dhe politikën.

“Ne do të veprojmë krah për krah drejt së ardhmes si një komb i tërë me gra dhe burra për ta shtyrë vendin tonë në një nivel më të përparuar dhe të zhvilluar dhe për të arritur qëllimet tona”, theksoi ai.

Duke vlerësuar përpjekjet e grave gjatë gjithë historisë së Turqisë, ai tha se ato lanë një shembull me betejat dhe arritjet e tyre.

Turqia zbatoi shumë reforma ligjore dhe administrative për të zgjidhur çështjet siç janë diskriminimi, abuzimi i të drejtave dhe dhuna me të cilat përballen gratë në familje, arsim, biznes dhe në jetën shoqërore, theksoi presidenti i Turqisë.

“Edhe një herë, dënoj fuqishëm të gjitha llojet e dhunës fizike dhe mendore, si dhe diskriminimin ndaj grave, të cilat unë i konsideroj një krim kundër njerëzimit. Ne do të vazhdojmë luftën tonë me vendosmëri dhe ndjeshmëri për krijimin e një ambienti ku gratë tona nuk do t’i nënshtrohen dhunës”, shtoi ai.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë kundër të gjitha llojeve të përpjekjeve dhe diskurseve që synojnë prishjen e strukturës familjare dhe do të mbrojë “shenjtërinë e familjes”.

“Me këtë rast, sërish uroj 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe përshëndes nënat, gratë, vajzat dhe motrat tona, si dhe të gjitha gratë në vendin tonë dhe në botë me dashuri dhe respekt”, theksoi ai.

Të ngjashme