Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, nuk do të udhëheqë apo të jetë pjesëmarrës në delegacionin e shtetit të tij në samitin e NATO-s në korrik, bëri të ditur zyra e tij për media më 27 qershor.
Sipas njoftimit, refuzimi i Radevit për të marrë pjesë në samit, që do të mbahet në Uashington, ka të bëjë me mosmarrëveshjet rreth qëndrimit të shtetit të tij sa i përket luftës në Ukrainë.
Radev “nuk pranon disa pika të kornizës së qëndrimeve të miratuar nga Këshilli i Ministrave që kanë të bëjnë me zotimet që shteti ynë duhet të ndërmarrë sa i përket luftës në Ukrainë”, u tha në njoftim.
Njoftimi vjen pak pasi kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavçev, tha se Radev duhet të udhëheqë delegacionin bullgar.
Zyra për media e Qeverisë tha më herët se Radev dhe Glavçev do të marrin pjesë në samitin në Uashington, por nuk ishte e qartë se kush do të udhëhiqte delegacionin e shtetit.
Radev për një kohë të gjatë kundërshton dërgimin e ndihmës ushtarake për Kievin, i cili po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi më 2022. Presidenti bullgar ka argumentuar se dërgimi i ndihmës vetëm do të zgjasë konfliktin.
Qeveritë e kaluara bullgare, por edhe shumica parlamentare, kanë mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar kundër Rusisë dhe deri më tani kanë ndërmarrë vendime për ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Samiti i NATO-s do të mbahet në Uashington nga 9 deri më 11 korrik./rel
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...