Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu të mërkurën mbështetjen e fuqishme për ndihmën ushtarake shtesë për Ukrainën dhe Izraelin, si edhe ndihmën humanitare për palestinezët në Gazë, pasi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson bëri të ditur se votimi për këtë ndihmë shtesë, do të bëhet të shtunën në mbrëmje.
Zoti Johnson kishte hezituar për javë të tëra që të fuste në rendin e ditës votimin për projekt-ligjin, pasi disa ligjvënës republikanë të linjës së ashpër, ishin kundër ndihmës shtesë për Ukrainën dhe kishin paralajmëruar se do të kërkonin shkarkimin e tij, nëse ai e hidhte për votim këtë ndihmë.
Demokrati Biden tha në një deklaratë se “Izraeli po përballet me sulme të paprecedentë nga Irani dhe Ukraina po përballet me bombardime të vazhdueshme nga Rusia që janë intensifikuar në mënyrë dramatike muajin e fundit”.
“Dhoma (e Përfaqësuesve) duhet ta miratojë paketën këtë javë dhe Senati duhet ta bëjë votimin menjëherë pas saj,” tha ai.
“Unë do ta nënshkruaj legjislacionin menjëherë për t’i dërguar një mesazh botës: Se ne qëndrojmë në krah të miqve tanë dhe nuk do të lejojmë që Irani apo Rusia të kenë sukses.”
Në një artikull opinioni në gazetën Wall Street Journal, zoti Biden e quajti versionin e projekt-ligjit të miratuar nga Senati “të fortë dhe të arsyeshëm”, duke shtuar se “ai nuk duhet të mbahet më peng nga një grup i vogël anëtarësh ekstremë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve. ”
Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin “synon të nënshtrojë popullin e Ukrainës dhe ta përfshijë atë në një perandori të re ruse. Qeveria e Iranit synon të shkatërrojë Izraelin përgjithmonë – duke zhdukur nga harta shtetin e vetëm hebre në botë”.
Duke u përpjekur të zbusë shqetësimet e disa demokratëve që janë kundër financimeve të mëtejshme për luftën e Izraelit ndaj militantëve të Hamasit, zoti Biden tha se projekt-ligji parashikon “ndihma urgjente humanitare për popullin e Gazës”.
Zoti Johnson u tha republikanëve të partisë së tij se do të mbajë votime për tre paketa të veçanta financimi për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e SHBA-së në Indo-Paqësor dhe do të përfshijë përparësitë e tjera të politikës së jashtme në një projektligj të katërt, si edhe sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë në një projekt-ligj të pestë./VOA
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...