Operacioni ushtarak i Izraelit në Gazë dhe pasojat e ofensivës mbi civilët palestinezë kanë qenë në qendër të deklaratave të faktorit ndërkombëtar, që ka reaguar ashpër.
“Itinerari i zakonshëm për të dërguar ndihma nga toka është mbyllur në mënyrë artificiale. Uria po përdoret si armë në luftë”, u shpreh Josep Borrell, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian
Kryeministrit i Izraelit Benjamin Netanyahu ka mbajtur qëndrim sfidues.
“Asnjë lloj trysnie nuk do të mund të na ndalojë. Në rrezik është e ardhmja dhe mbijetesa e Izraelit”, ka deklaruar ai.
Por në një kohë kur po rritet numri i viktimave dhe njerëzve që po vuajnë nga uria në Gazë, mbështetësit besnik të Izraelit, Presidentit Joe Biden, duket se po i soset durimi.
Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan MSNBC, zoti Biden tha se “mbrojtja e Izraelit vazhdon të jetë kritike, nuk ka vija të kuqe që do më bënin të ndërprisja furnizimin me municione dhe armatime, pa të cilat ata nuk do të mund të kishin në dispozicion sistemin e mbrojtjes ajrore Kupola e Hekurt për t’u mbrojtur. Por ka një vijë të kuqe që nëse ai dhe ata e kapërcejnë.. nuk duhet të kishte mbi 30 mijë palestinezë të vdekur si pasojë e sulmit… ka mënyra të tjera se si mund të veprohet”.
Presidenti Biden po e shfaq gjithnjë e më publikisht zemërimin e tij me zotin Netanyahu, përfshirë edhe mbi politikat izraelite që kanë ngadalësuar dërgimin përmes rrugëve tokësore të ndihmave humanitare, që janë tejet të nevojshme.
Shtetet e Bashkuara, u janë bashkuar vendeve të tjera,duke shpërndarë paketa ushqimore në Gazë, në rrugë ajrore.
Trupat amerikane po i drejtohen Mesdheut për të ndërtuar një port të përkohshëm në bregdetin e Gazës për të bërë të mundur që ndihma të dërgohet në rrugë detare, nga Qipro.
Uashingtoni vazhdon të mbështesë Izraelin me ndihmë ushtarake.
Por çfarë mund të ndodhë nëse kryeministri Netanyahu del kundër thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe ndërmerr ofensivën në Rafah, atje ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë, a do ta ndërpriste zoti Biden furnizimin e Izraelit me armatime amerikane?
“Ne jemi në komunikim me izraelitët mbi këtë çështje. Po vazhdojmë përpjekjet. Nuk do të dal në këtë podidum dhe të ushqej hipotezat mbi këtë çështje”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor, Presidenti Biden synon të shmangë mundësinë që republikanët të marrin votat e përkrahësve të Izraelit.
Por njëkohësisht, ai duhet të mos lejojë që demokratët progresivë, votuesit e rinj, votuesit myslimanë dhe arabo- amerikanë, ta braktisin, për shkak të mbështetjes që Presidenti i jep Izraelit.
Kështu që, nëse në ditët e para pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ai e përkrahu fort Netanjahun, tani ai po distancohet prej tij.
“Duket se ai po bën një shkëputje politike nga Netanyahu”, shprehet Laura Blumenfeld, nga universiteti “Johns Hopkins”.
Qëndrimet e zotit Biden duket se nxiten si nga objektivat e tij si në politikën e brendshme edhe në atë të jashtme.
“Ndarja e Netanyahut dhe ato që Bideni i cilëson politikat e tij të dëmshme në luftë, nga shteti i Izraelit, në mënyrë që Bideni të vazhdojë të mbështesë Izraelin, pa sakrifikuar parimet e tij morale”, shton ajo.
Së fundmi, anëtari i kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz u prit nga ligjvënës demokratë, Nënpresidentja Kamala Harris dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, një sinjal i mbështetjes së administratës amerikane, në rast se politikani i njohur i qendrës do të bëhej kryeministri i ardhshëm i Izraelit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë, nëse ndryshimi i qëndrimit të Presidentit Biden ndaj kryeministrit Netanyahu do të mjaftojë për të qetësuar amerikanët e zemëruar me politikat e kreut të Shtëpisë së Bardhë për luftën në Gazë./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...