Google ADS

Presidenti Biden përballë sfidës për balancë ndaj situatës në Lindjen e Mesme

17:20 | 25 Tetor 2023
KRG

Ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë nga toka në Gaza, Presidenti Joe Biden po përballet me disa sfida lidhur me konfliktin. Siç njofton korrespondentja eZërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, atij i duhet të balancojë mbështetjen e palëkundur për aleatin më të ngushtë të Amerikës në Lindjen e Mesme, me kërkesat ndërkombëtare për mbrojtje më të madhe të civilëve në Gaza, si edhe për përmbajtje nga ana e Izraelit për të shmangur një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ndërsa vazhdojnë sulmet ajrore në Gazë, presidenti Joe Biden i ka kërkuar Izraelit të konsiderojë pasojat e asaj që kryeministri Benjamin Netanyahu e quan “hakmarrje të fuqishme” ndaj Hamasit.

Zoti Biden po përpiqet të fitojë kohë për të siguruar shpërndarjen e ndihmës së domosdoshme për civilët, për të nxjerrë disa qindra palestinezo-amerikanë të bllokuar në Gaza dhe për negociata për lirim pengjesh.

Katër pengje, përfshirë dy amerikane, janë liruar nga mbi 200 persona që zyrtarët izraelitë thonë se u rrëmbyen nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit që shkaktoi vdekjen e të paktën 1400 vetëve.

“Sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakuum. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet”.

Këto komente të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shkaktuan reagimin e ambasadorit të Izraelit në OKB, Gilad Erdan.

“OKB-ja po dështon dhe ju, zoti Sekretar i Përgjithshëm, keni humbur çdo moral dhe paanshmëri”.

Po në Këshillin e Sigurimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Teheranin kundër zgjerimit të luftës, ndërsa rreziku për intensifikimin e sulmeve ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani, si Hezbollahu në Liban ka gjasa të rritet kur Izraeli të fillojë ofensivën tokësore.

Zoti Blinken i mbrojti me forcë veprimet ushtarake të Izraelit, por bëri gjithashtu apelin më të fortë deri tani drejtuar Izraelit për të “shmangur dëmet mes civilëve”.

“Kjo do të thotë që ushqimet, uji, ilaçet dhe ndihmat e tjera thelbësore humanitare duhet të arrijnë në Gaza dhe tek njerëzit që kanë nevojë për to”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë sqaron se “pauza humanitare” për të cilën bëri thirrje zoti Blinken, nuk është armëpushim, nga i cili zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby thotë se në këtë moment do të përfitonte vetëm Hamasi.

“Kjo është luftë. Është e përgjakshme. Është e shëmtuar. Do të jetë kaotike dhe civilët e pafajshëm do të vuajnë pasojat.”

Që nga 7 tetori, sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar vdekjen e mbi 6,500 personave në Gaza dhe zhvendosjen e mbi një milionë vetëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme