Duke e quajtur atë një shembull të rrallë bashkëkohor të bashkëpunimit dypartiak në Uashington, Presidenti Joe Biden nënshkroi të enjten legjislacionin që synon të luftojë krimet e urrejtjes kundër aziatikëve, të cilat janë përshkallëzuar në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë së koronavirusit.
Urrejtja dhe racizmi janë “helmi i shëmtuar që prej kohësh ka rënduar dhe munduar vendin tonë”, tha Presidenti para nënshkrimit të ligjit në Sallën Lindore të Shtëpisë së Bardhë.
Ligji krijon një pozicion të ri në Departamentin e Drejtësisë për të shpejtuar shqyrtimin e krimeve të urrejtjes që lidhen me COVID-19 dhe për të siguruar mbështetje për agjencitë lokale të zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur këtij lloji të dhunës. Ai gjithashtu ka për qëllim të përmirësojë mbledhjen e të dhënave për krimet e urrejtjes dhe të krijojë linja telefonike dhe mundësi për raportime në internet të akteve të tilla.
“Ky ligj i ri do të ndihmojë në shpejtimin e reagimit tonë ndaj krimeve të urrejtjes dhe do të sigurojë burime për forcat e zbatimit të ligjit për të përmirësuar raportimin e krimeve të urrejtjes”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland në një deklaratë. “Ligji do të ndihmojë forcat e zbatimit të ligjit në përqëndrimin e përpjekjeve të tyre, të cilat do të ndihmojnë për të parandaluar këto krime të rënda dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive krimeve, kur ato ndodhin.”
Para se të fliste presidenti, Nënpresidentja Kamala Harris, e para grua afrikano-amerikane dhe aziatike në këtë post, i tha audiencës se ligji “na sjell një hap më afër ndalimit të urrejtjes jo vetëm ndaj aziatiko-amerikanëve, por edhe ndaj të gjithë amerikanëve”.
Vetëm një senator amerikan votoi kundër projekt-ligjit, i cili gjithashtu fitoi mbështetje të gjerë nga demokratët dhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve. “Ne thjesht nuk e kemi parë këtë lloj bashkëpunimi dy-partiak për një kohë tepër të gjatë në Uashington”, tha Presidenti Biden të enjten. Sipas të dhënave të policisë, krimet e urrejtjes kundër aziazikëve u rritën me 150% në qytetet kryesore të Amerikës në vitin 2020.
Ligji i ri është vetëm një hap drejt një tolerance më të madhe, vuri në dukje Presidenti Biden në komentet e tij, duke thënë se gjatë vitit të kaluar, shumë aziatiko-amerikanë “ishin vërtet të frikësuar për sigurinë e tyre”. Vendi, sipas presidentit, akoma duhet të ndryshojë. “Por nga të gjitha të mirat që mund të bëjë ligji, ne duhet të ndryshojmë zemrat tona. Ne duhet të ndryshojmë zemrat e amerikanëve”, tha Presidenti Biden. “Urrejtjes nuk mund t’i jepet asnjë port i sigurt në Amerikë.”
Duke ngritur zërin e tij me zemërim përpara 68 të pranishmëve të ftuar në Sallën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, Biden tha: “Sa herë që heshtni, sa herë që lejoni që urrejtja të lulëzojë, ju thoni një gënjeshtër mbi atë se kush jemi ne si vend”.
Biden, menjëherë pasi u bë president në janar, i kërkoi Departamentit të Drejtësisë që të ndihmonte në luftimin e krimeve të urrejtjes që kanë në shënjestër komunitetin aziatiko-amerikan. Pas kritikave se aziatiko-amerikanët dhe ata me prejardhje nga ishujt e Paqësorit nuk kishin një përfaqësim të duhur në administratën e tij, Biden gjithashtu caktoi zonjën Erika Moritsugu në postin ndërlidhës të Shtëpisë së Bardhë me ato komunitete.
“Mënyra se si e trajtojmë urrejtjen brenda kufijve tanë ndikon në marrëdhëniet tona jashtë”, tha Alexander Feldman, kreu i Këshillit të Biznesit SH.B.A.-ASEAN. “Si një organizatë e angazhuar në nxitjen mirëkuptimin, vullnetit të mirë dhe marrëdhënieve kuptimplota midis Shteteve të Bashkuara dhe Azisë Juglindore, ne e përshëndesim Presidentin Biden për ndërmarrjen e këtij hapi të nevojshëm për të mbështetur aziatiko-amerikanët në vend dhe për të rindërtuar besimin me miqtë dhe partnerët tanë në të gjithë Azinë”, shtoi ai.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...