Presidenti Joe Biden u bë komandanti i katërt i përgjithshëm amerikan që pret me homazhe trupat e ushtarëve amerikanë të vrarë në Afganistan. Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden u takuan të dielën në Delauer me familjet e 13 ushtarëve amerikanë të vrarë të enjten në sulmin e organizuar nga ISIS pranë aeroportit të Kabulit. Më pas, çifti Biden dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane ndoqën ceremoninë solemne të transferimit të trupave të të rënëve nga avioni ushtarak që i solli nga Kabuli.
Ushtarët e vrarë ishin nga moshat 20-31 vjeç, të ardhur nga një numër shtetesh. Një ndër to, një marins 20-vjeçar priste të bëhej baba brenda tre javësh, si dhe një 22-vjeçar, pjesëtar i marinës ushtarake në bisedën e fundit me nënën para se të vritej, kishte thënë se ishte i bindur që do të kthehej gjallë sepse “kam shokët përkrah”, siç ishte shprehur ai në bisedë.
Pesë prej tyre ishin në të 20-tat e hershme, të lindur rreth ose pak pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 që u bënë shkak për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan.
Ata ndodheshin në Afganistan si pjesë e kontigjentit të fundit që po mundësonte evakuimin e civilëve dhe më pas pajisjeve ushtarake për të realizuar tërheqjen e plotë të Shteteve të Bashkuara nga ky vend.
“Këta 13 ushtarë që humbëm ishin të gjithë heronj, të cilët bënë sakrificën më të lartë për idealet e Amerikës, ndërkohë që shpëtonin jetët e të tjerëve,” tha presidenti në një deklaratë të shtunën.
Aeroporti në Dover të Delauerit është një ndër kryesorët për të pritur trupat e të rënëve në arkivole të mbështjellë me flamurin amerikan. Megjithëse ka marrë pjesë në ceremoni të ngjashme më parë për të nderuar të rënët në konflikte, është hera e parë që zoti Biden e bën këtë si president i Shteteve të Bashkuara.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet e nevojshme për të evakuuar rreth 300 shtetas amerikanë që ende ndodhen në Afganistan dhe duan të largohen para tërheqjes së plotë të 31 gushtit. Komentet i bëri të dielën këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili shtoi se aktualisht Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të kenë një prani diplomatike në Afganistan pas tërheqjes përfundimtare të trupave.
Rreth 280 vetë që ende ndodhen në Afganistan nuk kanë njoftuar ende Departamentin e Shtetit nëse duan të largohen apo të qëndrojnë në këtë vend.
Sullivan tha se ShBA ka dëshmuar në rrethana të tjera se është në gjendje të mposhtë kërcënimet terroriste pa nevojën e një pranie të madhe trupash tokësore.
Presidenti Biden është zotuar të vazhdojë goditjet ajrore kundër ISIS-it, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e përgjakshëm të së enjtes./ZA/
“Kosova prioritet kombëtar”, Hasani: Ne do të angazhohemi pë...
Murati: Pasdite pritet të bëhet ekzekutimi i shtesave nga 10...
SHSKUK-ja jep detaje për 30 vjeçarin e infektuar me Lijën e ...
Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me ga...
Studimi në SHBA: Shumica e qytetarëve të lodhur nga lajmet p...
Ngritet aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitblerj...