Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund të drejtës së fitimit të shtetësisë për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk janë shtetas amerikanë apo janë emigrantë të paligjshëm.
Amendamenti i 14-të i Kushtetutës Amerikane u garanton të drejtën për shtetësi të gjithë fëmijëve që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Axios në HBO, një pjesë e së cilës është bërë publike më 30 tetor, Trump ka thënë se “ne jemi shteti i vetëm në botë ku një person vjen, lind dhe foshnja më pas është qytetar i Shteteve të Bashkuara për 85 vjet me të gjitha përfitimet”.
“Është qesharake, qesharake. Dhe nuk ka fund”, ka vazhduar ai.
Në kundërshtim me deklaratën e Trumpit, shumë shtete të tjerë ofrojnë të drejtën për shtetësi, duke përfshirë Kanadanë dhe Meksikën.
Megjithatë presidenti amerikan nuk ka treguar se kur do ta nënshkruajë vendimin, mirëpo ka thënë se “është në proces dhe se do të ndodhë”.
I pyetur për legjitimin e një urdhri të tillë, Trump ka thënë se “ne jemi duke thënë se mund ta bëjmë atë me vetëm një urdhër ekzekutiv”.
Mohimi i shtetësisë do të nxiste luftë në gjykatë, lidhur me atë nëse presidenti ka kompetencë të njëanshme për të ndryshuar një amendament kushtetues.
Komentet e Trumpit kanë ardhur në periudhën kur ai ka ashpërsuar sërish fjalorin në politikat e migrantëve, meqë zgjedhjet amerikane për Kongres mbahen më 6 nëntor./rel/
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...