Presidenti amerikan kërcënon me ndalje të ndihmës për Hondurasin

16:58 | 16 Tetor 2018
Arbresh.info
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar të martën me tërheqje të fondeve dhe ndihmës për Hondurasin nëse nuk ndalon një grumbull personash që është nisur drejt Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara kanë informuar ashpër presidentin e Hondurasit se nëse një grumbull personash që janë nisur drejt SHBA-së nuk ndalohen dhe nuk kthehen sërish në Honduras, nuk do të ketë ndihmë financiare dhe ndihmë tjetër”, ka thënë Trump në një postim në Twitter.

Më shumë se 3,000 migrantë kanë kaluar nga Hondurasi në Guatemalë të hënën, pavarësisht paralajmërimeve të Uashingtonit se migrantët nuk duhet të tentojnë të hyjnë ilegalisht në SHBA.

Turma e njerëzve është dyfishuar nga dita e shtunë, pasi më shumë se 1,300 persona janë nisur nga veriu i Hondurasit dhe nga organizatorët është cilësuar si “Marshi i Migrantëve”.

Migrantët planifikojnë të kërkojnë statusin e refugjatit në Meksikë apo të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka verifikuar numrin e pjesëmarrësve, mirëpo në disa pamje janë parë shumë persona në kufi duke bartur flamurin e Hondurasit.

Kombet e varfëra të Amerikës Qendrore janë nën presion nga administrata e Trumpit për të bërë më shumë në zvogëlimin e migrimit masiv. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme