Presidenti Donald Trump ishte ndër udhëheqësit botërorë që morën pjesë në ceremoninë e organizuar në Paris për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore.
Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen tek rreziku i rikthimit të nacionalizmit dhe bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë së paqes të vulosur me gjakun e të rënëve.
60 kryetarë shtetesh dhe qeverish u mblodhën sot në një ceremoni tek Varri i Ushtarit të Panjohur, një simbol i sakrificës së miliona njerëzve që vdiqën gjatë viteve 1914 – 1918.
Ceremonitë filluan në orën e saktë kur 100 vjet më parë, më 11 nëntor 1918, pushuan armët e luftës në Francën perëndimore.
Udhëheqësit e shumicës së vendeve që dërguan ushtarë në frontin e perëndimit, ndër ta edhe Presidenti amerikan Donald Trump, qëndruan në heshtje për të nderuar sakrificën e të rënëve.
Asnjë ushtar që mori pjesë në Luftën e Parë Botërore nuk jeton më sot. Në atë kohë, ajo u quajt “lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave”. Por, konflikti global shpërtheu sërish vetëm 20 vjet më pas me viktima dhe dëme të paprecedenta.
Presidenti Macron foli për sakrificat e një shekulli më parë gjatë katër viteve të masakrës në Evropë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të botës të bashkohen në “luftën për paqen”.
“Le të ndërtojmë shpresat tona, dhe jo frikën ndaj njëri-tjetrit. Së bashku, ne mund të shmangim kërcënimet – spektrin e ngrohjes globale, varfërisë, urisë, sëmundjeve, pabarazisë dhe injorancës. Ne jemi angazhuar në këtë luftë dhe mund ta fitojmë atë. Le ta ndjekim këtë rrugë sepse fitorja është e mundur “.
Ndërsa u pa të shtrëngonte duart me Presidentin rus Vladimir Putin gjatë ceremonisë, Presidenti Trump anulloi një vizitë të planifikuar për ditën e djeshme në një varrezë ushtarakësh amerikanë pranë Parisit. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se vizita u anullua për shkak vështirësive logjistike të shkaktuara prej kushteve të motit.
Pati kritika në mediat sociale që Presidenti Trump qëndroi në Paris pa planifikuar aktivitete të mëtejshme, ndërkohë që transmetoheshin pamje gjatë ditës të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel në vendin ku aleatët fitimtarë dhe Gjermania humbëse nënshkruan marrëveshjen që i dha fund luftës.
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...