Presidenti algjerian, Tebboune: Me turqit kemi marrëdhënie të shkëlqyera

10:12 | 3 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune ka deklaruar se kanë marrëdhënie të shkëlqyera me turqit të cilët kanë investuar rreth 5 miliardë dollarë në vend pa ndonjë pritshmëri politike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për revistën javore franceze “Le Point”, Tebboune bëri vlerësime lidhur me marrëdhëniet me Turqinë dhe krimet që Franca ka kryer në periudhën koloniale në Algjeri.

“Turqit kanë realizuar investime në vlerë prej 5 miliardë dollarë pa asnjë kërkesë politike”, theksoi Tebboune duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si të “shkëlqyera”.

Më tej Tebboune, atyre që janë të shqetësuar nga kjo marrëdhënie u bëri thirrje që të bëjnë investime në Algjeri.

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve në Algjeri në vitin 2018 njoftoi se Turqia ka kaluar Francën dhe është renditur e para në listën e investitorëve të huaj në vend.

Duke folur në lidhje me krimet e kryera në periudhën koloniale të Francës, Tebboune vuri në dukje se nga qeveria e Parisit presin që të pranojnë plotësisht këto krime.

Presidenti Tebboune tha se krimet në fjalë përfshijnë masakrat, gjenocidin, plaçkitjen e mallrave dhe pasurisë që janë kryer nga viti 1945 deri në 1962.

Algjerianët presin ndjesë zyrtare dhe dëmshpërblim nga Franca për shkak të krimeve që ajo ka kryer gjatë periudhës koloniale.

Sipas disa historianëve, prej 20 deri 30 mijë njerëz e kanë humbur jetën në ngjarjet e kryera nga ushtarët kolonialë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të kryer ndaj kolonëve francezë në qytetet Setif, Guelma dhe Harrata, në periudhën e cila mund të konsiderohet faza e para e luftës për pavarësi në Algjeri.

Ish-presidenti francez François Hollande, në një vizitë në vitin 2012 në Algjeri pranoi përgjegjësinë e vendit të tij për ngjarjet në fjalë. “Në këtë pikë e pranoj që regjimi kolonial francez ka kryer krime të rënda ndaj popullit të Algjerisë. Në mesin e këtyre masakrat Setif, Guelma dhe Harrata janë ngulitur në pritje në memorien dhe vetëdijen e algjerianëve”, kishte deklaruar Hollande.

Algjeria e cila përbën shembullin më aktual dhe më të përgjakur të historisë koloniale të Francës në kontinentin e Afrikës, filloi luftën e saj të armatosur për pavarësi në vitin 1954.

Në luftën çnjerëzore që vazhdoi për vite në vend humbën jetën rreth 1.5 milionë algjerianë dhe miliona të tjerë u zhvendosën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme