Google ADS

Premtimi i Elon Musk për të dhuruar 1 milion dollarë në ditë deri më 5 nëntor nxit thirrje për hetim

21:26 | 21 Tetor 2024
D.H

Guvernatori demokrat i Pensilvanisë Josh Shapiro i bëri thirrje të dielën organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë miliarderin Elon Musk lidhur me premtimin e tij bërë gjatë një tubimi në fundjavë pro-Trump, për të dhënë 1 milion dollarë çdo ditë deri në ditën e zgjedhjeve.

Të shtunën zoti Musk i dha një çek prej 1 milion dollarësh një pjesëmarrësi në një takim elektoral në Harrisburg të Pensilvanisë, organizuar nga një komitetit i veprimit politik, krijuar nga ai vetë (America PAC), për të mbështetur republikanin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Zoti Shapiro tha për rrjetin televiziv të NBC-së se plani i zotit Musk për t’u dhënë para votuesve të regjistruar në Pensilvani është “thellësisht shqetësues” dhe “është diçka që strukturat e zbatimit të ligjit duhet ta hetojnë”.

Pensilvania shihet si një nga shtetet e domosdoshme për t’u fituar, si nga zoti Trump ashtu edhe nga zonja Harris.

Komiteti i zotit Musk po luan një rol të madh për mobilizimin dhe regjistrimin e votuesve në shtetet e fushëbetejës që mund të jenë vendimtare për fatin e zgjedhjeve. Po sipas agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ ka shenja se ai po has në probleme në përmbushjen e qëllimeve të tij.

Personi që fitoi çekut të shtunën quhej John Dreher.

Të dielën, zoti Musk i dorëzoi një çek të dytë prej 1 milion dollarësh një gruaje, gjatë një aktiviteti në Pittsburgh.

Zoti Musk premton t’i japë 1 milion dollarë çdo ditë dikujt që nënshkruan peticionin e tij në internet, ku shkruhet se: “Amendamenti i parë dhe i dytë i Kushtetutës garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të mbajtur armë. Duke nënshkruar më poshtë, premtoj mbështetjen time për të dy këto amendamente”.

Për t’u kualifikuar për të fituar 1 milion dollarë, nënshkruesit e peticionit duhet të jenë votues të regjistruar dhe të jetojnë në një nga shtatë shtetet: Arizona, Xheorgia, Miçigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvani dhe Viskonsin.

Por ekspertët kanë ngritur pikëpyetje nëse kjo iniciativë është e ligjshme ose jo.

Sipas ligjit konsiderohet krim federal të paguash apo të shpërblesh njerëzit me qëllimin për t’i nxitur ata që të votojnë ose të regjistrohen për të votuar, një vepër kjo e dënueshme me burg.

Zoti Musk, i renditur nga revista Forbes si personi më i pasur në botë, deri më tani ka siguruar të paktën 75 milionë dollarë për fushatën e zotit Trump, duke e bërë komitetin një pjesë thelbësore të përpjekjes së ish-presidentit për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Sipërmarrësi ka mbështetur gjithnjë e më shumë kauzat republikane dhe këtë vit u bë një mbështetës i hapur i zotit Trump.

Zoti Trump nga ana e tij ka thënë nëse zgjidhet, do ta emërojë zotin Musk në krye të atij që e ka cilësuar si komisioni për efikasitet në qeverisje./voa

Të ngjashme