Papa Françesku ndodhet në një vizitë disa ditore në Portugali. Dje ai u takua me viktimat e abuzimit seksual nga kleri katolik, gjashtë muaj, pasi një raport mbi këtë çështje tronditi Portugalinë. Sot në ditën e dytë të vizitës, Papa Françesku u takua me të rinjtë ku ai foli për të luftuar ngrohjen globale dhe pabarazitë ekonomike. Udhëheqësi i Kishës Katolike do të qëndrojë në Lisbonë deri në fundjavë për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë.
Papa Françesku u prit me entuziazëm në Universitetin Katolik, një nga universitetet më të mira të Portugalisë, ndërsa studentët brohorisnin.
Gjatë fjalimit të tij, ai iu kërkoi studentëve që ta bëjnë botën një vend më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
“Një diplomë akademike nuk duhet parë si një licencë për të krijuar mirëqenie personale, por si një mandat për të punuar për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe që është vërtet përparimtare”, iu tha studentëve, Papa Françesku.
Pas kësaj vizite, Papa Françesku udhëtoi për në qytetin bregdetar të Cascais për të vizituar degën lokale të fondacionit të tij ‘Scolas Occurrentes’, një lëvizje që ai e themeloi vite më parë për të bashkuar të rinj me prejardhje dhe kombësi të ndryshme.
“Zëvendësoni dyshimet tuaja me ëndrra: mos qëndroni peng i frikës, por filloni të punoni për të realizuar qëllimet tuaja! Një universitet do të kishte pak dobi, nëse do të shfrytëzohej vetëm për të shkolluar brezin e ardhshëm, që të vazhdojë sistemin e tanishëm global të elitizmit dhe pabarazisë, ku arsimi i lartë është privilegj i pak njerëzve me fat. Nëse njohuria nuk përqafohet si përgjegjësi, ajo jep pak fryte”, tha Papa Françesku para të rinjve.
Papa Françesku ka zgjedhur të vazhdojë me entuziazëm misionin e Papa Gjon Palit, ndërsa bën përpjekje të frymëzojë brezin e ardhshëm për t’u marrë me prioritetet e tij kryesore të drejtësisë sociale, ekonomike dhe mjedisore.
Ai u kërkoi studentëve portugezë të përdorin arsimimin e tyre për të punuar për të mirën e përbashkët, veçanërisht në kujdesin për mjedisin, duke thënë se premtimet aktuale për të frenuar ngrohjen globale kanë qenë thjesht “masa gjysmake, që vetëm vonojnë fatkeqësinë e pashmangshme”.
“Brezi juaj mund të jetë ai që merr përsipër këtë sfidë të madhe. Ju keni mjetet më të avancuara shkencore dhe teknologjike, por ju lutem, mos bini në grackën e qasjeve dritëshkurtëra dhe të pjesshme”, tha Papa Françesku.
Të mërkurën, Papa Françesku u takua me viktimat e abuzimit seksual nga kleri katolik, gjashtë muaj pasi një raport mbi këtë çështje tronditi Portugalinë, tha Vatikani në një deklaratë.
Ai takoi 13 viktima në ambasadën e Vatikanit në kryeqytetin portugez. Sipas Selisë së Shenjtë, Papa dëgjoi me vëmendje viktimat e pranishme për më shumë se një orë.
Udhëheqësi i Kishës Katolike do të qëndrojë deri në fundjavë në Portugali për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, kuvendin e madh katolik që Papa Gjon Pali II e nisi në vitet 1980 për të inkurajuar të rinjtë katolikë të forcojnë besimin e tyre./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...