Pompeo paralajmëron Iranin

16:41 | 23 Qershor 2018
Arbresh.info

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar Iranin që të mos kërkojë të krijojë armë bërthamore, duke thënë se do të ballafaqohet me “zemërimin e gjithë botës”, nëse bën një gjë të tillë.

Pompeo është shprehur po ashtu se shpreson se nuk do të jetë e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime ushtarake kundër Iranit, nëse Teherani kërkon të ketë armë bërthamore.

Në një intervistë dhënë për MSNBC, Pompeo po ashtu ka thënë se pavarësisht se çfarë do të ndodhë me marrëveshjes mes Iranit dhe fuqive botërore për programin bërthamor, nuk është në intersin e Teheranit që të posedojë armë bërthamore.

“Shpresoj se ata e kuptojnë se nëse rinisin programin bërthamor, gjithë zemërimi i botës do të bie mbi ta”, u shpreh Pompeo.

Megjithatë, Pompeo tha se me fjalën “zemërim”, ai nuk nënkupton veprime ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit.

“Kur them zemërim, mos e ngatërroni këtë me veprime ushtarake. Kur unë them zemërim, dua të them përplasjen morale dhe fuqinë ekonomike që do të bie mbi ta. Nuk po flas për veprime ushtarake. Vërtetë shpresoj që një opsion i tillë nuk do të ndodhë. Nuk është në interesin e askujt”, u shpreh sekretari Pompeo.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin e nënshkruar më 2015. Kjo marrëveshje i siguron Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme