Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se liderë të ndryshëm sektarë në Irak, mbështesin praninë e forcave amerikane në vend, përkundër kërkesave publike që ato të largohen.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Stanford” në Kaliforni, Pompeo tha se një “spektër i gjerë” i udhëheqësve sunitë, kurdë dhe shiitë mbështesin përpjekjet e SHBA-së kundër terrorizmit në Irak.
“Ata nuk e thonë këtë në mënyrë të hapur, por privatisht, të gjithë e mirëpresin faktin që Amerika është akoma atje duke zhvilluar fushatën e saj kundër terrorizmit dhe duke siguruar një mundësi që irakianët të fitojnë sovranitetin dhe pavarësinë që dëshirojnë”, pohoi Pompeo.
Parlamenti i Irakut, më 5 janar, miratoi një rezolutë që u kërkonte trupave të huaja të largoheshin nga vendi, pas një sulmi ajror amerikan që vrau një komandant të lartë ushtarak nga Irani, ndikimi i të cilit në vend rivalizonte atë të Shteteve të Bashkuara.
Qeveria e Irakut “angazhohet të tërheqë kërkesën e saj për ndihmë nga Koalicioni Ndërkombëtar që lufton grupin ekstremist të Shtetit Islamik (IS) për shkak të përfundimit të operacioneve ushtarake në Irak dhe arritjes së fitores”, thanë ligjvënësit në rezolutën jo obligative.
Më 3 janar një dron amerikan, vrau Qasem Soleimanin, i cili komandonte forcën e Kudsit, krahun e huaj të Trupave të Gardës Revolucionare të Iranit.
Vrasja shënoi një përshkallëzim të tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe zemëroi shumicën shiite të Irakut që gëzon lidhje fetare me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 5.000 trupa në Irak, kryesisht si këshilltarë të forcave afgane të sigurisë.
Pompeo përsëriti gjithashtu përpjekjen e presidentit amerikan, Donald Trump për të zvogëluar praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon duke ruajtur interesat e SHBA-së.
“Unë mendoj se ne mund t’i arrijmë të dyja këto synime – të zvogëlojmë prezencën tonë, të zvogëlojmë rrezikun tonë, derisa arrijmë objektivat amerikane në rajon, përfshirë në Irak”, tha Pompeo, transmeton rel.
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit