Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka akuzuar demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve se po përpiqen të frikësojnë Departamentin e Shtetit duke planifikuar deponime të zyrtarëve të tij lidhur me telefonatën e Presidentit Donald Trump me homologun e tij ukrainas.
Zoti Pompeo i dërgoi një letër të martën Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës, ku akuzonte demokratët se po përpiqen të “kërcënojnë” dhe “ngacmojnë” punonjësit e Departamentit të Shtetit dhe se deponimet e planifikuar nga komisioni nuk janë “të realizueshëm”.
Gjithësej janë tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve që kanë planifikuar deponime gjatë dy javëve të ardhshme me pesë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të Departamentit të Shtetit në lidhje me përfshirjen e tyre në telefonatën e Presidentit Trump me 25 korrik me presidentin e Ukrainës. Telefonata është bërë shkak për hetime me qëllim ngritjen e akuzave nga Dhoma për shkarkimin e Presidentit Trump.
Letra e zotit Pompeo vjen ndërkohë që gazeta Wall Street Journal raportoi se sekretari i shtetit ishte mes atyre që e dëgjuan telefonatën, gjë që e ka zhytur më thellë Departamentin e Shtetit në këtë çështje.
Një informator i brendshëm pretendon se zoti Trump kërkoi ndihmën e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të zbuluar informacione inkriminuese për ish-Presidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.
Zoti Biden është në garën mes demokratëve për të fituar emërimin e partisë si kandidat për president që do sfidonte zotin Trump në zgjedhjet e 2020-s.
DEMOKRATËT E DHOMËS VAZHDOJNË PROCEDURAT
Krerët e Komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Zbulimin dhe Mbikqyrjen i dërguan gjithashtu kërkesë ligjore avokatit të presidentit Trump, Rudy Giuliani me një afat deri më 15 tetor.
Ata shkruanin në kërkesë se “informacione publike në rritje, përfshirë vetë deklaratat tuaja, tregojnë se Presidenti, ju dhe të tjerë duket se i keni bërë presion qeverisë ukrainase që të bëjë dy hetime të motivuara politikisht”.
Aleatët republikanë të Presidentit Trump vazhdojnë të këmbëngulin se demokratët janë të motivuar politikisht.
Presidenti Trump ka vazhduar ta mbrojë telefonatën me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky me komente në Twitter dhe të hënën sulmoi kreun e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff:
“Telefonata ime ishte e përkryer. Informatori që njoftoi për të e paraqiti si të tmerrshme. Dhe pastaj, Adam Schiff, edhe më keq, i sajoi fjalët e mia gjë që unë mendoj se është e tmerrshme. Kongresmeni Adam Schiff, i shpiku ato që thashë unë. Arsyeja është se kur pa përmbajtjen e telefonatës sime me presidentin e Ukrainës, ishte aq në rregull saqë ai nuk e citonte dot sepse nuk kishte asgjë të gabuar. Ishte e përkryer…”
Zoti Trump sugjeroi dje se zoti Schiff, duhet të arrestohet për “tradhti”.
Presidenti gjithashtu vazhdon të këmbëngulë se duhet të “takojë akuzuesin” e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të rënda!”
Informatori që bëri ankesën pritet të dëshmojë para ligjvënësve, por data nuk është caktuar ende.
Sipas ligjit, informatorët mund të njoftojnë për qëndrime që ata i konsiderojnë të papërshtatshme, duke mbrojtur identitetin e tyre dhe pa frikën e hakmarrjes.
“Të përpiqesh të penalizosh dhe kritikosh dikë se ndjek ligjin për shkak të akuzave se president nuk ka ndjekur ligjin, është diçka që e ul dinjitetin e postit të presidentit, nga i cili amerikanët presin më shumë”, thotë John Hudak, i institutit Brookings.
Sipas ankesës së informatorit, zoti Trump kërkoi ndihmën e Presidentit ukrainas për të gjetur informacion inkriminues për rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij Hunter, që do të dëmtonte shanset e demokratit për t’u kandiduar nga partia e tij dhe për ta sfiduar atë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Të mërkurën , ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, të cilën zoti Trump e shkarkoi para disa muajsh do të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin. Të enjten para të njëjtin komision, dëshmon ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker, që dha dorëheqjen javën e kaluar./VoA/
Sot zhvillohen dy ndeshje në Superligën e Kosovës, vëmendja ...
Guxo dënon sulmin në veri: Republika e Kosovës nuk iu nënsht...
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...