Shqetësimi që paraqet grupi Wagner për Poloninë mbetet real dhe konsistent në kushtet kur qindra mercenarë janë vendosur shumë pak kilometra larg kufirit të tyre me Bjellorusinë.
Këtë e ka shprehur hapur kryeministri polak Mateusz Morawiecki, teksa konfirmoi këtë të shtunë se Varshava e sheh praninë e Wagnerit në Bjellorusi si një kërcënim të mundshëm dhe po kërkon të forcojë krahun e saj lindor.
Por ndër të tjera, Morawiecki zbuloi një strategji të mundshme që ushtarët e Wagner mund të përdorin për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, luftëtarët e vendosur në Bjellorusi pas grushtit të dështuar të shtetit, mund të paraqiten si emigrantë dhe të hyjnë në BE.
Teksa konfirmonte se rreth 100 trupa të Wagner kanë lëvizur pranë qytetit të Grodno, afër kufirit polak dhe lituanez, shefi i qeverisë u shpreh se Wagner gjithashtu mund të lehtësojë migrimin e paligjshëm nga Bjellorusia, akt të cilin Varshava e përshkruan si “luftë hibride”.
Morawiecki shtoi më tej se 100 anëtarët e grupit Wagner ishin zhvendosur në Bjellorusinë veri-perëndimore pranë korridorit Suwalki – kufiri prej 95 kilometrash i Polonisë me Lituaninë, që ndan po ashtu Bjellorusinë nga enklava ruse e Kaliningradit.
Ai pretendoi se mercenarët mund të paraqiten si roje kufitare bjelloruse për të ndihmuar emigrantët të kalojnë në BE, apo edhe të pretendojnë se janë vetë emigrantë për të hyrë në bllok.
“Tani situata po bëhet edhe më e rrezikshme. Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi të mëtejshëm hibrid në territorin polak”, tha ai në një konferencë shtypi gjatë një vizite në një fabrikë armësh në Gliwice, qytet në Poloninë jugore.
Deklaratat e kryeministrit polak vijnë vetëm dy ditë pasi ministri i Brendshëm nga Varshava tha se Polonia, Lituania dhe Letonia mund të vendosin së bashku të mbyllin kufijtë e tyre me Bjellorusinë nëse do të kishte incidente që përfshijnë grupin Wagner përgjatë kufijve të tyre.
Ndërkohë, fundjavën e kaluar Presidenti bjellorus Lukashenko këmbënguli se do të mbante mercenarët e Wagner-it në Bjellorusinë qendrore duke shuar zërat për konflikt të mundshëm me dy vendet e NATO-s.
“Ata po kërkojnë të shkojnë në perëndim… për të shkuar në një udhëtim në Varshavë…”, tha Lukashenko me shaka në një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin.
“Por sigurisht, unë po i mbaj në Bjellorusi qendrore, siç kemi rënë dakord”, shtoi ai./a2/
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...