Polonia i ka arrestuar dy qytetarë rusë të cilët “po shpërndanin materiale propaganduese të grupit rus Wagner” në Varshavë dhe Krakovë, dy qytetet më të mëdha polake, ka thënë të hënën ministri i Brendshëm i Polonisë, Mariusz Kaminski.
“Të dy akuzohen për spiunazh dhe u arrestuan”, tha ministri polak Kaminski më 14 gusht në X, ish-Twitter, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë për arrestimin e tyre.
Polonia ka paralajmëruar së fundmi për promovime të mundshme nga grupi mercenar, i cili ndodhet në Bjellorusinë fqinje tani, dhe se do ta rrisë praninë e trupave në kufi me Bjellorusinë në 10 mijë sosh.
Mediat polake raportuan javën e kaluar për një prani të ngjitësve me logon e Wagner-it dhe me mbishkrimin në gjuhën angleze: “Ne jemi këtu – bashkohuni me ne”, si dhe kode QR që të drejtojnë te një uebsajt rus për grupin mercenar.
Sipas të përditshmes Gazeta Wyborcza, ngjitësit u raportuan në polici nga banorët në Karkovë dhe Varshavë.
Ministria e Brendshme e Polonisë nuk specifikoi nëse dy burrat rusë u arrestuan në lidhje me shpërndarjen e ngjitësve.
Mijëra mercenarë të Wagner-it kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi në qershor.
Trupat e Wagner-it luajtën rol kyç në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke i ndihmuar ushtrisë ruse t’i marrë nën kontroll pjesët kryesore të qytetit Bahmut, pas gati 10 muajve luftimesh intensive.
Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin në qershor, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse./rel
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...