Polonia feston 20 vjetorin e anëtarësimit në NATO

16:06 | 12 Mars 2019
Arbresh.info

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg javën e kaluar në Varshavë u foli nga zemra polakëve. “Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin që Polonia jep ditë për ditë”, tha ai.

Polonia – nxënëse shembullore e NATO-s

Lëvdata është me vend. Polonia përpiqet prej vitesh të jetë një nxënëse shembullore e NATO-s duke ofruar shpenzimin 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, ashtu siç kërkohet, ky vend merr pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan dhe përshëndet stacionimin e trupave të NATO-s në territorin e saj. Stoltenberg në të njëjtën kohë paralajmëroi në Varshavë nga rritja e rrezikut ushtarak nga ana e Rusisë dhe preku me këtë pulsin e politikës së jashtme polake, e cila që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 orientohet nga perëndimi për shkak të frikës nga fqinji lindor. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, anëtarësimi në NATO u kthye në një objektiv strategjik të Polonisë. Mbështetja në popullsinë polake ishte shumë e gjerë.

Rusia kundër anëtarësimit të Polonisë në NATO

Objektivi polak ishte një halë në sy që nga fillimi për Rusinë. Megjithë shpërbërjen e Paktit të Varshavës në vitin 1991, në Poloni kanë qenë të stacionuar deri në vitin 1993 tanke ruse dhe ky vend për Kremlinin ishte ende një zonë influence ruse, megjithë rënien e Perdes së Hekurt. “Rusët ishin natyrisht kundër anëtarësimit tonë në NATO, por ne u përpoqëm me të gjitha mjete të mposhtim këtë rezistencë”, kujton Janusz Onyszkiewicz, ministër i Mbrojtjes i Polonisë në kohën e anëtarësimit në NATO.

Walesa flet me Jelcinin

Onyszkiewicz e sheh si prishjen e nyjes gordiane vizitën e presidentit rus, Boris Jelcin në Varshavë në gusht të vitit 1993. Presidenti polak, Lech Walesa e përdori këtë mundësi për të informuar Jelcinin për planet polake të anëtarësimit në NATO. Pas banketit me Walesën, Jelcini komunikoi një deklaratë, në të cilën flitet për “mirëkuptimin rus për anëtarësimin polak në NATO”. Habia ishte e madhe si në Bruksel ashtu edhe në Moskë. Më vonë nën presionin e ushtarakëve rusë, Jelcini u detyrua të tërhiqte me shkrim fjalët e thëna, por sipas ish-ministrit polak të Mbrojtjes, Onyszkiewicz, kjo tregoi, se “Rusia megjithë protestën e fortë verbale, nuk mund ta ndalte më procesin.”

Pas kësaj filloi një ofensivë diplomatike e Polonisë, Hungarisë, Çekisë. Kur në vitin 1994, presidenti Bill Clinton tha në Bruksel, se “zgjerimi i NATO-s nuk është një çështje “nëse”, por një pyetje se “kur”, atëherë u bë e qartë se anëtarësimi ishte një mundësi reale. Dokumenti themelor NATO-Rusi i vitit 1997, që përcaktonte bashkëpunimin me Rusinë dhe NATO-s, ishte de facto një përforcim i zgjerimit që pritej.

Shkruhet historia

Më 12 Mars 1999, ministrat e Jashtëm të Polonisë, Hungarisë, Çekisë në prani të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright vulosën anëtarësimin e vendeve të tyre në NATO. “Isha me të gjithë qeverinë polake në varrin e Ushtarit të Panjohur në Varshavë. Prisnim një sinjal nga SHBA, që dokumentet i ishin dorëzuar Sekretares Amerikane të Shtetit, Albright. Pastaj u ngrit flamuri i NATO-s. Isha shumë i emocionuar dhe i vetëdijshëm, se në këtë moment po shkruhej historia”, kujton Onyszkiewicz.

Polonia është që atëherë një anëtare mjaft aktive e NATO-s. Ish- ministri i Mbrojtjes kujton, se për palën polake ishte e rëndësishme që partnerët e aleancës të kuptonin se me Poloninë “ata kishin fituar një alet për kohë të mirë dhe të këqija”. Polonia e tregoi këtë angazhim me ristrukturimin e ushtrisë e pjesëmarrjen në disa misione të NATO-s. Aktualisht 350 ushtarë polakë janë në Afganistan. Në vitin 2003, Polonia ishte ndër të paktat vende europiane, krahas Anglisë dhe Spanjës që çuan ushtarët e tyre në luftën amerikane në Irak.

SHBA si garant i sigurisë

Simpatia e polakëve tradicionalisht i drejtohet SHBA-së, tek ky vend polakët shohin një garant më të madh për sigurinë e tyre, se NATO-n. Në janar të vitit 2017 polakët e pritën gati me entuziazëm mbërritjen e 3.500 ushtarëve amerikanë bashkë me tanket dhe xhipat “Humvee” në rajonin perëndimor polak, Zagan. Ky ishte kontingjenti i parë që u vendos në vend e që ndërrohet çdo 9 muaj me rotacion në kuadër të aksionit të NATO-s, “Atlantic Resolve”. Krahas trupave amerikane në Poloni janë angazhuar edhe batalione të NATO-s në tre vende balltike. Kjo ishte përgjigja e NATO-s kundrejt aneksimit të Krimesë.

Varshava përpiqet aktualisht për më shumë prezencë të trupave amerikane. Me shumë dëshirë polakët do të donin të kishin në mënyrë të vazhdueshme trupa amerikane në vend, pa parimin e rotacionit. Për projektin që presidenti polak, Adrzej Duda e quan “Fort Trump” qeveria polake po zhvillon prej kohësh një ofensivë diplomatike. Polonia do të dëshironte të kishte të stacionuar në vend një divizion të tërë të tankeve amerikane dhe është e gatshme të paguajë për këtë deri në 2 miliardë dollarë.

Kritikët shohin në këto plane një veprim të njëanshëm të qeverisë polake, që tregon hapur simpati ideologjike për presidentin Donald Trump. Sipas ish-ministrit të Mbrojtjes, Onyszkiewicz, është pozitive përpjekja për më shumë prezencë amerikane, por kjo nuk duhet bërë në mënyrë bilaterale me amerikanët, por në kuadër të NATO-s. “Një prezencë e përforcuar amerikane në Poloni do të garantonte, që në rast të një sulmi, të ndjehen të prekur edhe SHBA dhe në këtë rast do të zbatoheshin garancitë e sigurisë të vendosura në marrëveshjen e NATO-s”, thotë ish-ministri i Mbrojtjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme