Thirrja që kancelari gjerman Olaf Scholz ia bëri Varshavës për t’i qartësuar akuzat në lidhje me vizat për emigrantët është përpjekje për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore të Polonisë, tha të hënën ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau.
Emigracioni është bërë tema kryesore në fushatën e partive politike para zgjedhjeve parlamentare të 15 tetorit në Poloni.
Qeveria është përballur me akuza nga partitë opozitare këtë muaj se është përfshirë në lëshimin e jashtëligjshëm të vizave polake për emigrantët me ritëm të përshpejtuar, pa kontrolle të duhura, në këmbim të ryshfetit.
Të shtunën, kancelari gjerman Scholz tha se kjo çështje duhet të qartësohet dhe la të kuptohej se Gjermania mund të ndërmarrë hapa në lidhje me kontrollet në kufirin e saj me Poloninë.
“Procedurat e vazhdueshme në Poloni nuk janë kompetencë e kancelarit gjerman”, tha ministri i Jashtëm polak Ru në rrjetin social X të dielën në mbrëmje.
“Deklaratat e tij për këtë çështje janë një tentim për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit polak dhe në fushatën e tanishme zgjedhore në Poloni”, tha ai.
Rau i bëri thirrje kancelarit gjerman ta “respektojë sovranitetin e Polonisë dhe të përmbahet nga deklaratat që i dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe”.
Më herët, Komisionarja për Çështje të Brendshme e Bashkimit Evropian, Ylva Johansson, kërkoi sqarime për këtë çështje dhe i bëri thirrje Polonisë të përgjigjet ndaj akuzave se hiç më pak se 350 mijë emigrantë kanë blerë viza shengen në konsullatat polake përmes ndërmjetësuesve.
Vizat shengen mundësojnë udhëtimin në vendet e BE-së.
Në një letër dërguar komisionarit për Siguri të BE-së, Qeveria e Polonisë tha se kjo çështje është “akt i tepruar medial” për ta diskredituar atë para zgjedhjeve./rel
Prezantohet plani i veprimit për sigurinë në shkolla, Rama: ...
Gjithçka gati, sonte nis Big Brother VIP Albania 4
Rama: TikTok do mbyllet për një vit
Hamza: Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta p...
Papa Françesku: Patriarku nuk u lejua që të hynte në Gaza
Murati: Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për fat...