Mandati prej dy vitesh e gjysmë i Donald Tusk në krye të Këshillit Europian përfundon në maj. Ai është i vetmi kandidat për këtë pozicion, për të siguruar kështu një mandat të dytë, e vlen të theksohet se gëzon mbështetje të konsiderueshme për këtë.
Por duket se rikandidimi i tij nuk do të kalojë pa sfidantë, dhe një i tillë mund të vijë nga qeveria polake, e cila duket e destinuar të kundërshtojë vijimin e tij në krye të Këshillit Europian gjatë samitit të javës së ardhshme të Bashkimit Europian.
Lajmi vjen nga kreu i partisë konservatore në qeverisje, gjatë kësaj të marte. Deklarata nga politikani më i fuqishëm i Polonisë aktualisht, Jaroslaw Kaczynski, synon të dëmtojë perspektivën e rivalit politik prej një kohe të gjatë të tij, vetëm pak ditë përpara se të merret vendimi mbi të ardhmen e Tusk.
Kritikët e Kaczynskit në Poloni thonë se ai po e ngre politikën e brendshme polake mbi interesat e vendit dhe paraqitjes ndërkombëtare të Polonisë.
Tusk ka qenë kryeministër i Polonisë në vitet 2007-2014, si përfaqësues i një partie të qendrës proeuropiane, e cila është edhe kundërshtarja kryesore e konservatorëve të Kaczynskit, “Ligj dhe Drejtësi”.
Kaczynski pretendon se tashmë, në kundërshtim me rregullat elementare të BE-së, Tusk po ndërhyn në çështjet e brendshme të Polonisë duke mbështetur opozitën. “Tusk nuk mundet kurrsesi të llogarisë mbështetjen tonë, e aq më pak të mendojë se kundërshtimi ynë do të mungojë”, tha ai.
Megjithatë kundërshtimi i Polonisë, nëse mbetet e vetme, nuk do ta pengonte Tuskun të siguronte mandatin e dytë në samitin dyditor të BE-së më 9-10 mars, madje edhe nëse aleati politik i polakëve, Hungaria, do ta kundërshtonte gjithashtu kandidaturën e tij, edhe pse pak gjasa ka që kjo të ndodhë. Por, siç ndodh zakonisht, për emërimin e tij tentohet të arrihet konsensusi i përgjithshëm.
Gjatë mandatit të tij të parë, Tusk ndihmoi me udhëheqjen e tij të bllokut 28-anëtarësh mes negociatave të vështira për shpëtimin e Greqisë, teksa vendi ynë fqinj është përballur edhe me rrezikun e daljes nga zona e monedhës së përbashkët. Gjithashtu, ai ka ruajtur në “ujëra të qëndrueshëm” Bashkimin Europian, menjëherë pas vendimit surprizë të Britanisë për t’u larguar nga blloku.
Në sytë e shumë personaliteteve në Bruksel, deklaratat e Tuskut mbi çështjet kryesore politike kanë sjellë energji të reja për BE-në dhe, pavarësisht anglishtes jo të rrjedhshme të folur prej tij, ai i ka dhënë nota tejet humane një institucioni, që shpeshherë konsiderohet edhe si burokratik.
I vetmi komplikim për riemërimin e tij duket të jetë matematika politike e BE-së. Partitë Popullore Europiane, që mbështesin Tuskun, aktualisht kanë drejtues të tjerë në pozicione të rëndësishme, përfshi këtu Jean-Claude Juncker në krye të Komisionit Europian dhe Antonio Tajanin si president i Parlamentit Europian.
Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës
Kryetari i Zveçanit, reagon pas sulmit me granata dore në ob...
Arrestohet një i dyshuar për mashtrim me kredi në Prishtinë
Vlorë, arrestohet 22-vjeçari, i dënuar për shitje të lëndëve...
Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj dy personave për ...
Kosova për herë të parë bëhet me Strategji të Sportit, kusht...