Polonia akuzon Rusinë për sulme kibernetike

08:37 | 9 Maj 2024
K.B

Polonia u vu në shënjestër nga hakerat nga një grup i lidhur me Rusinë këtë javë, tha Instituti Kombëtar i Kërkimeve (NASK) i drejtuar nga shteti.

Ditët e fundit, disa vende anëtare të NATO-s kanë akuzuar Rusinë për fillimin e sulmeve kibernetike kundër tyre dhe ministri i jashtëm i Polonisë tha se vendi i tij gjithashtu ishte shënjestruar në të kaluarën.

“Sulmi që synonte institucionet qeveritare polake këtë javë ishte nga grupi APT28 i lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse. Treguesit teknikë dhe ngjashmëritë me sulmet e mëparshme lejuan identifikimin e grupit APT28 (…) Ky grup është i lidhur me Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (GRU)”, tha NASK në një deklaratë.

NASK këshilloi administratorët e rrjetit të konstatojnë nëse punonjësit e tyre ishin sulmuar.

Ambasada ruse në Varshavë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi këtë çështje.

Javën e kaluar Gjermania akuzoi Rusinë për sulme kibernetike ndaj kompanive të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, si dhe Partisë Social Demokratike (SPD) në pushtet. Moska u përgjigj se Berlini po përdor mite të pabaza për hakerat rusë për të përshkallëzuar tensionet./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme