Qindra mijëra persona marshuan të dielën në protesta kundër qeverisë në kryeqytetin e Polonisë.
Pjesëmarrësit kishin ardhur nga mbarë vendi për të shprehur zemërimin e tyre ndaj zyrtarëve për të cilët thonë se kanë dëmtuar normat demokratike duke nxitur frikën se vendi, mund të ndjekë shembullin e Hungarisë dhe Turqisë, me një zhvendosje drejt autokracisë.
Kryetari i bashkisë së Varshavës Rafal Trzaskowski, që i përket opozitës, e që drejtoi marshimin, vlerësoi se në të morën pjesë 500 mijë vetë.
Portali i lajmeve ‘Onet’ vlerësoi se ishin të paktën 300 mijë pjesëmarrës në kulmin e marshimit.
Turma të mëdha u mblodhën edhe në Krakovë dhe në qytete të tjera në mbarë vendin me popullsi prej 38 milionë banorësh, duke treguar zhgënjimin e tyre me një qeverisje që kritikët e akuzojnë për shkelje të kushtetutës dhe për dëmtimin e të drejtave themelore në Poloni, që është mbajtur prej kohësh si vendi model i ndryshimeve paqësore dhe demokratike.
Ish-Presidenti Les Valesa, udhëheqës i lëvizjes së Solidaritetit që luajti një rol historik në rrëzimin e komunizmit në Poloni, marshoi përkrah udhëheqësit të partisë opozitare Platforma Qytetare, ish-Kryeministrit polak Donald Tusk.
Turma në Varshavë brohoriti kur u shfaqën dy udhëheqësit, të cilët kritikohen nga Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi, e udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski, dhe njerëzit thërrisnin “Demokraci!” dhe “Kushtetutë!”.
Turma marshoi nga zyra e Kryeministrit Mateusz Morawiecki, kaloi pranë selisë së Presidentit Andrzej Duda, dhe u ndal tek Kështjella Mbretërore historike, ku zoti Tusk përshëndeti pjesëmarrjen e jashtëzakonshme dhe u zotua të luftojë për të fituar zgjedhjet e vjeshtës, si dhe për të zhbërë atë që e quajti një ndasi dhe një dëm të thellë që i është shkaktuar vendit.
“Ne po shkojmë në këto zgjedhje për të fituar dhe për të korrigjuar gabimet njerëzore. Ju premtoj fitore, zmbrapsje të së keqes, kompensim për gabimet njerëzore dhe pajtim mes polakëve”, tha zoti Tusk në fjalimin përpara turmës.
Zëdhënësi i qeverisë, Piotr Mueller, akuzoi zotërinjtë Tusk dhe Walesa për “përpjekje për të rrëzuar qeverinë”.
Zoti Tusk u pati bërë thirrje polakëve që t’i bashkoheshin në marshim për hir të së ardhmes së kombit – një mesazh që u mirëprit nga 49-vjeçari Radek Tusinski, i cili erdhi me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të vegjël.
Një banderolë e punuar me dorë ku shkruhej “Nuk mundem të heq dorë nga liria” ishte ngjitur në karrocën e fëmijëve.
Zoti Tuskinski tha se ai shqetësohet për rikthimin tronditës të një sistemi autoritar të ngjashëm me atë që kujton nga fëmijëria e tij.
“Duam një vend të lirë për fëmijët tanë”, tha ai.
Mbështetësit e marshimit kanë paralajmëruar se zgjedhjet mund të jenë shansi i fundit i vendit për të ndalur erozionin e demokracisë nën drejtimin e partisë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, ndërsa është shtuar frika se zgjedhjet e vjeshtës mund të mos jenë të drejta.
Në pushtet që nga viti 2015, Partia Ligj dhe Drejtësi ka gjetur një formulë popullore, duke kombinuar shpenzimet më të larta sociale me politikat sociale konservatore dhe mbështetjen për kishën në vendin me popullsi kryesisht të besimit katolik.
Megjithatë, kritikët kanë paralajmëruar prej vitesh se kjo parti po zhbën shumë nga arritjet e realizuara që kur Polonia doli nga regjimi komunist në vitin 1989.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ndërhyrë në momentet kur ka menduar se qeveria polake po dëmtonte liritë e medias dhe lirinë akademike në fushën e hulumtimeve për Holokaustin.
Kritikët theksojnë kryesisht marrjen hap pas hapi të gjyqësorit dhe mediave nga partia në pushtet, dhe se ajo përdor mediat shtetërore për një propagandë të ashpër për të njollosur kundërshtarët.
Partia Ligj dhe Drejtësi gjithashtu përdor armiqësinë ndaj pakicave, veçanërisht ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTQ+, luftën e të cilëve për të drejtat e tyre kjo parti e përshkruan si një kërcënim për familjet dhe identitetin kombëtar.
Gjithashtu, kufizimi i të drejtave të abortit ka shkaktuar protesta masive.
Kritikët kanë shprehur frikën se kjo parti mund ta detyrojë vendin të largohet nga Bashkimi Evropian, një union prej 27 vendesh anëtare, i themeluar mbi idealet demokratike./VOA/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...