Ndryshimet klimatike nuk po prekin vetëm botën, por edhe Uashingtonin. Kjo temë është kthyer në programin e Kongresit, tani që demokratët kanë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve. Disa demokratë po propozojnë atë që ata e quajnë një Pakt të Gjelbër, një program ambicioz dhe të debatueshëm për të transformuar burimet e energjisë për vendin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona sjell më shumë hollësi.
Vetëm pak javë pasi morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët e kanë bërë ndryshimin e klimës, një nga çështjet e tyre kryesore.
“Ndryshimet klimatike dhe sfidat e mjedisit, janë ndër kërcënimet ekzistenciale ndaj mënyrës sonë të jetesës. Për ta luftuar këtë kërcënim, duhet të jemi sa më ambiciozë dhe krijues”, u shpreh anëtarja e Kongresit Alexandria Ocasio-Cortez, e cila së bashku me senatorin, Ed Markey kanë propozuar të ashtuquajturin Paktin e Ri të Gjelbër.
“Kur flasim për një Pakt të Ri të Gjelbër, kemi parasysh vende pune dhe drejtësi. E kemi fjalën për programin më të gjerë të hapjes së vendeve të punës në prodhim, prej një gjenerate”, thotë Senatori Markey.
Programi ka si qëllim ta transformojë të gjithë sistemin e energjisë në 10 vjet, me një zgjerim masiv të burimeve të energjisë së ripërtëritshme, programe per rritjen e efektivitetit dhe automjete të pastra.
Programi do të reduktonte çlirimin e gazeve të dëmshme nga bujqësia dhe do të rriste pyje që do të thithnin dioksidin e karbonit.
Por, në propozim nuk thuhet konkretisht se si.
“Megjithëse në rezolutë nuk përmendet ndonjë teknologji konkrete, aty flitet për çdo teknologji që mund të pakësojë në mënyrë drastike, gazet që prodhojnë efektin serrë”, thotë senatori Markey.
Propozimi gjithashtu nuk ka detaje për mënyrën e financimit të programeve.
Nuk ka pothuajse asnjë shans që ai të kthehet në ligj nën Presidentin Donald Trump, i cili vazhdimisht e shpërfill në Twitter rrezikun e ndryshimeve klimatike.
Ai quajti propozimin një “uzurpim masiv qeveritar”.
“Duan t’ju marrin makinat, të ulin vlerën e shtëpisë suaj dhe të lënë pa punë miliona amerikanë. Do të shpenzoheshin qindra triliona dollarë. Dhe mos harroni: Asnjë vend përveç nesh nuk do ta bënte një gjë të tillë. Edhe ky është problem”, tha ai.
As senati me shumicë republikane, nuk ka gjasa ta miratojë. John Barrasso përfaqëson shtetin Wyoming.
“Ky Pakt i Ri i Gjelbër për mua do të dëmtonte familjet amerikane ndërsa kostoja e energjisë do të shkojë në qiell nën planin e tyre majtist”, thotë ai.
Kritikët kanë sulmuar gjithashtu objektivat e gjera sociale të programit, ku përfshihen kujdesi shëndetësor, siguria e vendeve të punës, strehimi dhe arsimi për të gjithë.
Por kandidatët demokratë për president, e kanë përqafuar programin, përfshirë Kamala Harris, Elizabeth Warren dhe Kirsten Gillibrand.
“Nëse nuk ke vullnetin të sfidosh interesat e fuiqshme, nuk mund t’i realizosh asnjherë aspiratat; nuk mund të marrësh masa për ndryshimet e klimës, nuk mund të merresh me kujdesin shëndetësor si të drejtë, jo privilegj. Nuk do të përmirësohen kurrë shkollat publike”, tha Senatorja demokrate, Kirsten Gillibrand.
Por edhe brenda partisë demokrate, disa e quajnë jorealist. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e quajti “Ëndrra e Gjelbër”.
Por, Ocasio-Cortez nuk shqetësohet.
“Mendoj se është një ëndërr e gjejlbër, po…Të gjitha programet e mëdha amerikane, që nga Shoqëria e Madhe tek Pakti i Ri, filluan me një vizion për të ardhmen”, thotë ajo.
Ky vizion do të vazhdojë të mbetet në të ardhmen, ndërsa demokratët e kanë vështrimin tek zgjedhjet e vitit 2020./VOA
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...