Burri që vdiq në një sulm të dështuar me bombë në qytetin verior anglez të Liverpoolit të dielën e kishte planifikuar shpërthimin për të paktën shtatë muaj, tha policia të mërkurën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Emad Al Swealmeen, 32 vjeç, i lindur në Irak, mori me qira një pronë në qytet në prill dhe kishte bërë “blerje të rëndësishme” për bombën e tij “të paktën” që nga ajo kohë, tha Russ Jackson, i cili drejton policinë kundër terrorizmit në Anglinë veriperëndimore.
Pajisja e improvizuar e Al Swealmeen shpërtheu në pjesën e pasme të një taksie jashtë një spitali të Liverpool-it, pak çaste përpara se Britania të shënonte të Dielën e Përkujtimit fundjavën e kaluar.
Ai u vra nga zjarri, ndërsa shoferi i taksisë shpejt u arratis nga vetura, duke përfunduar me lëndime të lehta pasi thuhet se mbylli Al Swealmeen brenda kabinës së tij.
“Një pamje komplekse po shfaqet mbi blerjet e pjesëve përbërëse të pajisjes. Ne e dimë se Al Swealmeen e ka marrë me qira pronën nga prilli i këtij viti dhe besojmë se blerjet përkatëse janë bërë të paktën që nga ajo kohë”, ka thënë Jackson.
“Tani kemi gjurmuar një të afërm të Al Swealmeen, i cili na ka informuar se ai ka lindur në Irak”.
Azilkërkuesi vuajti nga periudha të sëmundjes mendore që “do të jetë pjesë e hetimit dhe do të marrë pak kohë për t’u kuptuar plotësisht”, ka bërë të ditur Jackson.
Ndërkohë gazeta Times raportoi se pajisja e improvizuar përmbante TATP – i njëjti eksploziv i favorizuar nga grupi i Shtetit Islamik që u përdor në sulmet e Parisit të vitit 2015 dhe bombardimin në Mançester Arena në vitin 2017.
Shpërthimi ishte sulmi i dytë i frymëzuar nga terrori në Britani në muajin e fundit, pasi një deputet britanik u godit me thikë për vdekje teksa takonte votuesit në Anglinë juglindore në tetor.
Dy incidentet e shtynë qeverinë të hënën të ngrejë nivelin e kërcënimit terrorist nga “thelbësor” në “i rëndë” – i dyti më i larti – që do të thotë se një sulm ishte “shumë i mundshëm”.
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë
Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani
Osmani udhëtoi për vizitë pune në Kolumbi
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...