Dhuna është rishfaqur në rrugët e qyteteve britanike të shtunën. Disa oficerë policie u lënduan gjatë ditës së katërt të trazirave pas vrasjes së tre vajzave të vogla më herët gjatë javës në një qytet në veriperëndim të vendit.
Trazirat shpërthyen ndërsa qindra protestues kundër emigracionit u mblodhën në disa qytete të vendit, pasi në mediat sociale u përhapën informacione të rreme se sulmi me thikë ndaj fëmijëve që po merrnin mësime për vallëzimin në qytetin Southport u bë nga një emigrant mysliman i radikalizuar.
Policia ka thënë se autori i dyshuar, Axel Rudakubana, 17 vjeç, ka lindur në Cardiff të Uellsit, por protestat e demonstruesve kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve kanë vazhduar, duke u shndërruar në dhunë dhe trazira, së fundmi në qytetin verilindor Sunderland të premten në mbrëmje.
Policia në Liverpul tha të shtunën se një numër oficerësh ishin plagosur ndërsa po përballeshin me “trazira serioze” në qendër të qytetit.
Autoritetet në qytetin lindor Hull thanë se katër persona u arrestuan dhe tre oficerë u plagosën, ndërsa po merreshin me protestat gjatë të cilave u goditën me shishe.
Xhamitë në të gjithë vendin janë këshilluar të forcojnë masat e sigurisë, ndërsa policia ka dislokuar oficerë shtesë.
Kryeministri Keir Starmer, që po përballet me sprovën e tij të parë të madhe që nga zgjedhja e tij një muaj më parë, ka dënuar “të djathtën ekstreme” për dhunën dhe ka mbështetur policinë për të ndërmarrë masa të forta. Ai diskutoi për trazirat në një takim të shtunën me anëtarët e kabinetit qeveritar, tha zyra e tij.
Hera e fundit që shpërtheu dhunë masive në Britani ishte në vitin 2011, kur mijëra persona dolën në rrugë për pesë netë, pasi policia vrau një burrë afrikano-amerikan në Londër.
Dëshmitarët në qytetet Liverpul, Leeds, Mançester dhe Belfast folën me agjencinë e lajmeve Reuters për një atmosferë të tensionuar të shtunën pasdite, ndërsa policia u përpoq të përmbante dhe të shmangte përplasjen mes disa grupeve rivale ku merrnin pjesë qindra protestues që brohorisnin.
Përleshjet dhe dhuna shpërthyen në disa qytete, përfshirë në Liverpul, ku u hodhën vezë, kanaçe birre dhe shashka, ndërsa në Belfast, disa biznese raportuan dëme materiale.
“Nuk gjej ndonjë arsye përse na sulmuan”, tha Rahmi Akyoli, ndërsa qëndronte përpara kafenesë së tij në Belfast, dyert me xhama të së cilës u thyen pasi u sulmua nga dhjetëra njerëz që hidhnin shishe dhe karrige.
“Unë jetoj këtu prej 35 vitesh. Fëmijët e mi, gruaja ime janë nga këtu. Nuk di çfarë të them, është e tmerrshme”, tha ai.
Në protestat në Londër, policia arrestoi disa persona, përfshirë një person që reagoi me përshëndetjen naziste ndaj një kundërprotestuesi.
Të premten në mbrëmje, qindra demonstrues kundër emigracionit në Sunderland hodhën gurë ndaj forcave speciale të policisë që ishin dislokuar pranë një xhamie. Në vazhdim ata përmbysën automjete, i vunë flakën një makine dhe ndezën një zjarr pranë një stacioni policie.
Katër policë të plagosur u dërguan në spital dhe 12 persona u arrestuan, u tha gazetarëve të shtunën Mark Hall, kryeinspektori i policisë në Sunderland.
“Kjo nuk ishte protestë. Kjo ishte dhunë e pafalshme dhe trazira”, tha Hall.
Të paktën 30 demonstrata ishin planifikuar në Britaninë këtë fundjavë, tha rrjeti BBC, së bashku me një numër kundër-protestash nga grupet kundër racizmit./voa
Aksident në Durrës, vdes një 22-vjeçar
Haaland tregohet i sinqertë kur pyetet për formën e dobët të...
Sonte “Big Brother VIP 4”-Zbulohet se çfarë personazhe do të...
Dita Botërore e Gjuhës Rome, Kurti: Historia e saj është shu...
Sulmi në Gjermani, Biden: SHBA qëndron me aleatët kundër ter...
VV-ja bëhet anëtare e Internacionales Socialiste, e falënder...