Polemika për Trump, foli pa takt me të venë e ushtarit

23:19 | 18 Tetor 2017
Trina Galanxhi

“Ai e dinte se me çfarë po përballej”. Këto janë fjalët fare pa takt që presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë vejushës së një ushtari të vrarë në Niger, sipas kongresmenes Frederica Wilson.

Kjo e fundit pretendon se i kishte dëgjuar komentet e bëra në telefon, ndërsa gjendej në një makinë me familjen e reshterit të vrarë, David Johnson.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë reagoi duke thënë se, bisedat e numrit një të Uashingtonit me familjarët e të rënëve në detyrë ishin private.

25-vjeçari ishte mes 4 ushtarëve të vrarë më 4 tetor, në një zonë ku operojnë militantë të Shtetit Islamik dhe luftëtarë të Al Qaeda-s. Bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së tretë të çiftit.

Në një intervistë për CNN, ligjvënësja Wilson pohoi se telefonata me Trumpin ishte zhvilluar para se arkivoli i Johnson të mbërrinte në Miami.

“Të gjithë e dinë se kur shkojnë në luftë mund të mos kthehen më të gjallë, por t’ia thuash një vejushe është e pandjeshme”, ishin fjalët e kongresmenes.

Konteksti i plotë i bisedës nuk dihet ende. Wilson tha se, kur e kishte pyetur zonjën Johnson për më shumë detaje, ajo i ishte përgjigjur se nuk e mbante mend. Komentet e pretenduara nxitën reagime të ashpra në rrjetet sociale, me kongresmenen që tha se Trump nuk kishte karakterin, empatinë apo hijeshinë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan është kritikuar për faktin se nuk kishte kontaktuar me familjarët e 4 ushtarëve të vrarë, menjëherë pas ngjarjes. Të hënën ai u shpreh se u kishte shkruar letra të afërmve dhe se do t’i telefononte shumë shpejt ata.

Për t’iu kundërpërgjijgur akuzave, udhëheqësi amerikan sugjeroi se paraardhësi i tij Barack Obama nuk e kishte telefonuar familjen e shefit të kabinetit të tij, John Kelly, kur djali i tij u vra në Afganistan në vitin 2010.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme