Google ADS

Plas mes Putinit dhe ushtrisë, prapaskenat pas dyerve të mëdha të Kremlinit

15:40 | 28 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Ushtria ruse është shumë e pakënaqur me strategjinë e re të kufizuar që Putin ka urdhëruar të zbatohet në Ukrainë, duke e braktisur synimin madhor për pushtimin e kryeqytetit Kiev, në këmbim të një objektivi shumë më modest, si pushtimi i rajonit të Donbasit, në lindje të vendit.

Dhe ajo po e drejton gishtin e fajit drejt agjencive të tjera, kryesisht degës së inteligjencës së jashtme të FSB-së, për keqinformimin e presidentit mbi kushtet e vërteta brenda Ukrainës, që kanë çuar në dështime të mëdha. Edhe departamentet e tjera të FSB-së duket se bashkohen me pikëpamjet e ushtrisë.

Lufta në Ukrainë e ka përçarë shumë shoqërinë ruse. Si gazetarë, kur nisi pushtimi më 24 shkurt ne prisnim të humbnim shumë nga kontaktet tona brenda ushtrisë dhe shërbimeve sekrete ruse. Tek e fundit, është një gjë është t’i ankohesh një gazetari për korrupsionin në një agjenci qeveritare, dhe diçka krejtësisht tjetër të flasësh mbi luftën me ata që kanë mbajtur një qëndrim publik kundër luftës.

Dhe në fakt, gjatë muajit të parë të luftës, disa nga burimet tona refuzuan që t’u përgjigjen telefonatave dhe mesazheve tona. Por tani situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Javën e kaluar ne filluam të marrim gjithnjë e më shumë telefonata dhe mesazhe nga kontaktet tona në ushtri dhe në FSB, që komentonin raportimet tona mbi Sergei Beseda-n, një nga drejtuesit e Shërbimit të Pestë të FSB-së, që mbledh të dhënat politike për Ukrainën dhe që promovon opozitën pro-Kremlinit në Kiev.

Gjenerali u arrestua dhe u dërgua në burgun famëkeq Lefortovo në Moskë, që ka pasur një nam të keq që nga koha e spastrimeve të Stalinit. Shumë njerëz janë vrarë në bodrumin e asaj godine. Kremlini është përpjekur shumë që të mbajë fshehur detajet e arrestimit të Beseda-s, duke ndryshuar deri edhe emrit të gjeneralit në dosjet e burgut. (Komiteti Hetimor, autoriteti kryesor hetimor i Rusisë, shkoi aq larg saqë mohoi ndjekjen penale të zyrtarit të lartë).

“Ju lumtë!”, ishte një mesazh nga kontaktet tona të vjetra në Spetsnaz (forcat speciale në inteligjencën ushtarake ruse). “Gjithçka është e vërtetë!”- na tha kontakti ynë në Shërbimin e Sigurisë Ekonomike të FSB-së. Videot mbi gjendjen e vështirë të gjeneralit janë parë miliona herë në YouTube-n rus, dhe janë diskutuar gjerësisht në rrjetet sociale.

U përhapën zëra se materiali komprometues për Beseda-n ishte siguruar nga agjencia e saj rivale, shërbimi i inteligjencës së huaj, SVR. A do të thotë kjo se ushtria apo FSB-ja kanë arritur në përfundimin se lufta, me viktimat e saj të shumta dhe drejtimin e paaftë, ishte një gabim?

Përgjigja e shkurtër është jo. Përkundrazi, ushtria ruse beson se kufizimi i qëllimeve fillestare të luftës është një gabim serioz. Tani ata po thonë se Rusia nuk po lufton më kundër Ukrainës, por ndaj NATO-s. Për këtë arsye, oficerët e lartë kanë arritur në përfundimin se aleanca perëndimore po lufton plotësisht kundër Rusisë (nëpërmjet furnizimit të Ukrainës me armë gjithnjë e më të sofistikuara), në një kohë që forcat e saj po operojnë nën kufizimet e kohës së paqes, si një lloj pengese ndaj sulmeve ajrore kundër disa zonave kyçe të infrastrukturës së Ukrainës.

Me pak fjalë, ushtria tani kërkon luftë të gjithanshme, përfshirë mobilizimin e përgjithshëm të popullatës. Zhgënjimi po bëhet i fortë dhe i përhapur edhe në hapësirën publike. Alexander Arutyunov (blogeri që njihet me nofkën RAZVEDOS), një veteran i njohur  i Spetsnaz dhe Gardës Kombëtare, i bëri Putinit një lutje përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale:”I dashur Vladimir Vladimirovich, ju lutem vendosni, po bëjmë luftë apo po masturbojmë?”.

Ai kërkoi një përshkallëzim të luftës, me shtimin e sulmeve ajrore ndaj infrastrukturës jetike ukrainase ose përfundimin e fushatës ushtarake.  Videoja u bë virale, veçanërisht tek grupet pro-ushtarake në platformat VK dhe Telegram të lidhura me ushtrinë ruse.

Kanali “FighterBomber” në Telegram i lidhur me forcat ajrore ruse, postoi më 12 prill një koment në lidhje me furnizimet me armë të NATO-s në Ukrainë:”Ne do të shtojmë më tej njësitë e mbrojtjes ajrore në kufi me Ukrainën, për të mbrojtur territorin tonë nga sulmet me raketa. Por është gjithashtu e qartë, se vendet e NATO-s kanë shumë më tepër armë sesa Rusia”.

Autori i postimit shprehej optimist, se forcat ajrore ruse do të jenë në gjendje të ndalin fluksin e furnizimeve perëndimore, por paralajmëroi se fitoret e mëtejshme të Ukrainës “do të nxisin thuajse me siguri përdorimin e armëve bërthamore” kundër objektivave në Ukrainë.

Më pas, më 22 prill, gjenerali i ushtrisë ruse Rustam Minnekaev njoftoi një fazë të dytë të “operacionit special”, që do të synojë “vendosjen e kontrollit të plotë mbi Donbasin dhe Ukrainën Jugore”. “Kjo do të sigurojë një korridor tokësor për në Krime, si dhe do të ndikojë mbi objektet jetike të ekonomisë ukrainase”- tha Minnekaev për mediat ruse.

Deklarata e tij ishte e çuditshme. Minnekaev është zëvendëskomandant i Qarkut Ushtarak Qendror, dhe komentet e tij i bëri në takimin vjetor të Unionit të Industrive të Mbrojtjes. Shpjegimi më i besueshëm, ishte se pas pjesëmarrjes së fundmi në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm, ai u emocionua aq shumë nga ato që kishte dëgjuar, sa që e dekonspiroi lajmin në mbledhjen e parë publike.

Pavarësisht se si qëndron e vërteta, kjo është një shenjë se ushtria ruse dëshiron më shumë dhe jo më pak luftë. Ajo që bie në sy në të gjitha këto diskutime brenda ushtrisë, publike apo private, është mungesa e çdo kritike ndaj Sergei Shoigu, Ministrit të Mbrojtjes dhe njëherazi “fytyrës publike” të luftës në Ukrainë.

Në një farë mënyre, Shoigu ia ka dalë të ruajë respektin e ushtrisë, dhe ta ridrejtojë gjithë zemërimin larg saj. Privatisht, ushtria, madje edhe shërbimet sekrete, janë dëgjuar të fajësojnë jo vetëm Shërbimin e Pestë të FSB-së për keqinformimin e presidentit, por edhe vetë presidentin për ndryshimin e strategjisë ushtarake.

Në vitin 2014, kur ushtria ruse pushtoi me shpejtësi Krimenë, ushtria dhe shërbimet e sigurisë ishin në të njëjtën mendje me Putinin. Ata e mbështetën plotësisht vendimin e tij për të aneksuar Krimenë dhe ishin entuziastë për mënyrën se si u realizua.

Tani situata është shumë ndryshe. A ka rëndësi kjo? Po, ka shumë rëndësi. Kjo është hera e parë që “silovikët” po krijojnë një distancë midis tyre dhe presidentit. Dhe në këto kushte mund të ndodhë gjithçka.

Shënim:Irina Borogan dhe Andrei Soldatov, janë gazetarë investigativë rusë, bashkëthemelues të uebsajtit Agentura.ru, që mbikëqyr aktivitetet e shërbimit sekret rus./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme