Në një orë aktuale të kërkuar nga grupi parlamentar CDU/CSU folësit nga Unioni dhe AfD shprehën kritika të ashpra për reformën e planifikuar të ligjit për shtetësinë dhe dyshtetësinë.
Planet e koalicionit qeveritar për natyralizim më të lehtë në Gjermani kanë hasur në një refuzim të vendosur nga pjesë të opozitës në Bundestag. Në një orë aktuale të kërkuar nga grupi parlamentar CDU/CSU të enjten, 1 dhjetor 2022, folësit nga Unioni dhe AfD shprehën kritika të ashpra për reformën e planifikuar të ligjit për shtetësinë, ndërsa përfaqësuesit e grupeve parlamentare të koalicionit të SPD, Bündnis 90 /Die Grünen dhe FDP e mbrojtën fuqishëm projektin,
Qeveria gjermane miratoi të mërkurën piketat kryesore për një projektligj të ri të shtetësinë. Projektligji parashikon lejimin e shtetësisë së shumëfishtë, si dhe heqjen e testeve të gjuhës për grupe të caktuara, si migrantët pensionistë që jetojnë prej shumë vitesh në Gjermani, dhe shkurtimin e kohës minimale të qëndrimit në Gjermani nga tetë në pesë vjet.
Unioni parashikon konflikte besnikërie
Nënkryetarja e grupit parlamentar opozitar kristdemokrat/kristsocial, Andrea Lindholz, e quajti shtetësinë “lidhjen ligjore qendrore” që mes qytetarit dhe shtetit të tij. Fakti që koalicioni qeverisës dëshiron të lejojë shtetësinë e dyfishtë në të ardhmen do të çojë në konflikte besnikërie dhe do të dobësojë kohezionin social në vend, tha ajo.
Ajo tha më tej se plani për pothuajse përgjysmimin e periudhës minimale të qëndrimit në Gjermani si kusht për natyralizimin bie gjithashtu në kundërshtim me parimin se natyralizimi duhet të jetë finalizim i suksesshëm i një procesi integrimi dhe jo fillimi i tij.
E ngrakuara e Qeverisë Federale për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin, Reem Alabali-Radovan (SPD), argumentoi se me këtë ligj qeveria përshtat legjislacionin me realitetin në Gjermani, si vend imigracioni. Ajo tha se projektligji synon të njohë arritjet integruese të imigrantëve.
Kushdo që jeton në Gjermani për shumë vite duhet të ketë të gjitha të drejtat, dhe jo vetëm të gjitha detyrimet, tha politikania socialdemokrate. Demokracia lulëzon me mundësinë e fjalës, votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Nuk është mirë “kur popullsia dhe elektorati ndahen gjithnjë e më shumë”.
AfD: Ju e shpërdoroni pasaportën gjermane
Gottfried Curio nga partia opozitare e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, tha se projektligji po “shfuqizon plotësisht” kërkesat për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Ai kritikoi heqjen e kushtit për t’iu përshtatur jetesës gjermane dhe kujtoi se sipas një sondazhi, dy të tretat e gjermanëve nuk duan thjeshtëzimin e natyralizimit.
Integrimi real fillimisht duhet të bëhet si përpjekje për të fituar shtetësinë dhe jo anasjelltas. Ai kritikoi koalicionin tripartiak të qendrës së majtë se “po ua hedh pasaportën atyre që nuk janë integruar mjaftueshëm”. Sipas tij ky është një “program zhvillimi për shoqëritë paralele”.
Të Gjelbrit: Koha e fundit për reforma
Irene Mihalic, nga partia e pozitës Aleanca 90/Të Gjebrit tha se ishte “koha e fundit” që Gjermania të bënte një ligj modern për shtetësinë, që hap perspektiva më të mira integrimi për njerëzit, që merr parasysh parimet demokratike dhe që është në dobi të ekonomisë gjermane.
Sikurse kolegia e saj socialdemokrate, ajo theksoi se Gjermania është një vend migrantësh dhe është koha që ky fakt të merret parasysh edhe nga ligjet. Shtetësia ka të bëjë kryesisht me mundësinë për të kontribuar në suksesin e komunitetit në baza të barabarta. Është e pranueshme kur, për shembull, njerëzve me dy kombësi u mohohet besnikëria ndaj Republikës Federale.
E Majta: Reforma është e vonuar
Edhe partia opozitare E Majta, u shpreh pro ndryshimit të ligjit të shtetësisë. Deputetja e kësaj partie, Janine Wissler, e quajti reformën “të vonuar”. Gjermania është një vend imigrimi dhe kjo duhet të pasqyrohet edhe në ligjin e shtetësisë, tha ajo dhe kujtoi se mbi dhjetë milionë qytetarë në moshë madhore pa pasaportë gjermane jetojnë dhe punojnë në Republikën Federale dhe se këta nuk kanë të drejtë të votojnë.
“Jeta e tyre përcaktohet nga vendime politike, për të cilat ata nuk kanë të drejtë të vendosin me anë të votës”, shtoi Wissler. Politikania e majtë i përshëndeti planet e ministres së brendshme Nancy Faeser (SPD) për lehtësimin e natyralizimit.
Liberalët më shumë imigrim të rregullt dhe luftim të imigrimit të parregullt
Konstantin Kuhle (FDP) iu referua pikave kyçe të vendosura nga Kabineti Federal të mërkurën për të lehtësuar imigrimin nga vendet e treta në tregun e punës, të cilat u shërbejnë interesave të ekonomisë gjermane dhe sigurojnë qëndrimin elektoral gjerman.
Ky ligj i imigracionit duhet të përfshihet në një koncept të përgjithshëm të politikës së migracionit që mund të përmblidhet me formulën “më shumë imigrim i rregullt, më pak imigrim i parregullt”. Pjesë e këtij koncepti është edhe reforma e ligjit të shtetësisë, tha ai. Por kërkoi që qeveria të realizojë edhe pikën tjetër të marrëveshjes së koalicionit, “ofensivën e riatdhesimit”.
SPD: Pengesa më të ulëta për gjenerimin e punëtorëve mysafirë
Gülistan Yüksel (SPD) theksoi se me ligjin e ri të shtetësisë, koalicioni përfundimisht po “përshtat kuadrin ligjor me realitetet e jetës”. Kjo e bën më të lehtë rrugën drejt shtetësisë gjermane, veçanërisht për njerëzit “që kanë qenë prej kohësh pjesë e natyrshme e kësaj shoqërie”.
Debati i së enjtes në Bundestag ishte një episod nga vala e debateve që ka ngjallur plani i ri qeverisë gjermane për ndryshimin e shtetësisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte shprehur qysh në fundjavë, në një mesazh me video, mbështetës për planet e ministres Faeser. Në një takim që kancelari dhe ministrja patën të hënën në lagjen Kreuzberg të Berlinit – e quajtur në zhargon edhe “Stambolli i Vogël”, për shkak të numrit të madh të migrantëve, sidomos turq, kancelari tha se “kurrë nuk e kishte kuptuar, se përse kishte një këmbëngulje kaq të fortë për të hequr dorë nga shtetësia e vjetër: “Përkatësia dhe identiteti nuk janë një lojë me shumën zero.” /DW/
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...