Piku i pandemisë në 20 mars/ Italia vendos kufizime të reja

22:45 | 27 Shkurt 2021
S D

Qeveria italiane njoftoi vendosjen e kufizimeve të reja në pesë nga 20 rajonet e vendit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, teksa mediat vendase thonë se piku i pandemisë në Milano mund të mbërrihet në 20 mars dhe pritet të zgjasë një muaj.

Vendimi i autoriteteve italiane vjen në kohën kur shkencëtarët paralajmëruan se variantet e reja të COVID-19, që janë më ngjitëse, po përhapen shumë shpejt në vendin fqinj. Italia ka krijuar një sistem të masave përmes kategorizimeve me ngjyra (e bardhë, e verdhë, e portokalltë dhe e kuqe) dhe masat vendosen në përputhje me nivelin e infektimit.

Për herë të parë, që prej janarit, dy rajonet Basilicata dhe Molise janë futur në zonën e kuqe. Kjo do të thotë se kafenetë dhe restorantet do të mbyllen dhe do të ketë kufizim të lëvizjes dhe do të lejohet që të punojnë vetëm dyqanet me gjëra thelbësore. Sakaq, në Lombardi dhe Piedmont dhe Marche po ashtu janë ashpërsuar masat, duke u kategorizuar në zonën portokalli.

Në këto dy rajone, qytetarët nuk do të lejohen që të largohen nga qytetet e tyre, përveç në raste emergjente, për punë apo për arsye shëndetësore. Qeveria tha se masat e reja në këto pesë rajone do të hyjnë në fuqi të hënën. Gjatë kësaj jave, autoritetet shëndetësore italiane kanë njoftuar se ka pasur rritje prej 35 për qind të rasteve të reja, krahasuar me një javë më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme