Miliona doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca për koronavirusin qëndrojnë të magazinuara në temperatura të ulta në SHBA. Ato nuk mund të administrohen në shtetet amerikane pasi vaksina nuk ka marrë ende miratimin për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve. Por administrata Biden nuk po lejon që ato të dërgohen jashtë vendit, ndërkohë që aleatët e Shteteve të Bashkuara po përpiqen të sigurojnë doza të mjaftueshme për pjesën më të rrezikuar të popullatës së tyre.
Vaksina me dy doza e kompanisë AstraZeneca, ka marrë miratim për përdorim emergjent nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por jo në Shtetet e Bashkuara. Tani partnerët e Shteteve të Bashkuara po nxisin Presidentin Joe Biden të lejojë që këto vaksina të vihen në dispozicion të vendeve të tjera, duke theksuar se administrata ka doza të mjaftueshme nga tre vaksina të miratuara tashmë, për të mbuluar çdo të rritur amerikan deri në fund të majit dhe të gjithë popullsinë amerikane deri në fund të korrikut.
Kompania AstraZeneca tha se vaksinat e prodhuara në SHBA janë “në pronësi” të qeverisë amerikane dhe se dërgimi i tyre jashtë vendit do të kërkonte miratimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Ne e kuptojmë që qeveri të tjera mund të kenë kërkuar që qeveria amerikane të dhurojë dozat e vaksinës AstraZeneca. Ne i kemi kërkuar qeverisë amerikane që t’i shqyrtojë me kujdes këto kërkesa,” tha në një deklaratë Gonzalo Viña, zëdhënës i kompanisë AstraZeneca.
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së diskutuan këtë javë vështirësitë e marrjes së dozave të prodhuara në SH.B.A. Qeveria gjermane tha të premten se ishte në kontakt me zyrtarët amerikanë në lidhje me furnizimet e vaksinave, por theksoi se Komisioni Evropian ishte institucioni drejtues kur bëhet fjalë për të siguruar vaksina për vendet anëtare.
Presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kanë udhëzuar përfaqësuesit e tyre të diskutojnë zinxhirët e furnizimit në prodhimin e vaksinave.
“Shpresojmë të jemi në një pozitë të favorshme në të dyja anët e Atlantikut për të siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinës për t’u shpërndarë sipas planit e për të përfunduar fushatat e vaksinimit”, tha zëdhënësi i komisionit të BE-së, Eric Mamer.
Edhe pse nuk është miratuar për përdorim në SHBA, mbi 10 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca-s janë magazinuar në vend për përdorim të brendshëm dhe sipas kushteve të marrëveshjes së kompanisë me qeverinë federale, ato nuk mund të eksportohen.
“Ne kemi një sasi të vogël inventari të vaksinës së AstraZeneca-s në mënyrë që po të miratohet, mund ta shpërndajmë atë sa më shpejt që të jetë e mundur tek populli amerikan, tha koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients të premten, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po ndjekin të njëjtën procedurë që kanë përdorur për vaksinat që tashmë janë miratuar.
Kompanive farmaceutike, të cilat morën ndihmë federale për zhvillimin apo zgjerimin e prodhimit të vaksinave, iu kërkua të shesin dozat e tyre të para në Shtetet e Bashkuara. Në rastin e kompanisë AstraZeneca, vaksina e së cilës fillimisht pritej të ishte e para që do të merrte autorizimin federal për përdorim emergjent, qeveria amerikane urdhëroi 300 milionë doza – të mjaftueshme për 150 milionë amerikanë – përpara se problemet në provat klinike të vaksinës të vononin miratimin e saj në Shtetet e Bashkuara.
Kompania tha këtë muaj se do të ketë afërsisht 30 milionë doza në dispozicion të qeverisë amerikane deri në fund të marsit dhe 20 milionë të tjera në fund të prillit.
Ndërsa rregullatorët e vendeve të tjera kanë ecur përpara me miratimin e vaksinës, Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga e drejta kontraktuale për dozat e para të prodhuara në Sh.B.A.
Kjo politikë është kritikuar gjithashtu nga vendet fqinje të Shteteve të Bashkuara si Kanadaja dhe Meksika, të cilët janë detyruar të kërkojnë vaksina të prodhuara në një kontinent tjetër dhe jo nga aleati përtej kufirit. Zbatimi i kësaj politike vjen ndërsa administrata Biden ka blerë doza të mjaftueshme të Modernës, Pfizer-it dhe Johnson & Johnson-it për të qenë në gjendje të vaksinojë 150 milionë më shumë njerëz sesa popullsia e saj deri në fund të vitit.
Shtetet e Bashkuara kanë porositur gjithashtu 110 milionë doza vaksine nga Novavax, e cila pritet të paraqesë kërkesë për miratim për përdorim emergjent brenda pak javësh.
“Duam të jemi të pajisur mirë dhe të super përgatitur,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të mërkurën, duke shtuar se Presidenti Biden dëshiron të ketë plane rezervë nëse dalin skenare të papritura apo probleme në prodhimin e vaksinave ekzistuese.
“Ende nuk e dimë cila vaksinë do të jetë e suksesshme tek fëmijët,” vazhdoi zonja Psaki. “Ende nuk e dimë ndikimin e varianteve të reja apo nëse do të ketë nevojë për doza shtesë. Këto doza mund të përdoren për vaksinim shtesë nëse del nevoja. Pa dyshim, Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave po bën analizat, por po e përsëris, ne duam të jemi të përgatitur”.
E pyetur të enjten lidhur me rezervat e vaksinës AstraZeneca, zëdhënësja Psaki tha: “E kemi bërë të ditur në rrethe të ngushta, siç e kemi thënë publikisht, se objektivi ynë është të garantojmë vaksinimin e amerikanëve”.
Provat e kompanisë AstraZeneca me 30 mijë pjesëmarrës në SHBA nuk janë përmbyllur ende. Kompania nuk ka njoftuar se kur mund të dalin rezultatet paraprake. Një drejtues i filialit të kompanisë për Shtetet e Bashkuara tha në dëshminë para Kongresit muajin e kaluar se rezultatet priten “së shpejti”.
I ndeshur me problemet e veta me vonesa në vaksinime, Bashkimi Evropian duket se është dorëzuar para faktit se administrata Biden nuk do të heqë dorë nga këto doza.
Megjithëse blloku me 27 anëtarë është shumë i interesuar të riaktivizojë shkëmbimet e frytshme transatlantike pas ftohjes së marrëdhënieve nën administratën Trump, bashkëpunimi SHBA-BE vazhdon të hasë vështirësi. Madje disa kanë vërejtur një vazhdimësi të politikës së ish-Presidentit Trump “Amerika, e Para”.
Bashkimi Evropian ka marrë nga AstraZeneca shumë më pak doza se sa kishte premtur kompania. Nga porosia fillestare prej 80 milionë dozash që pritej të merrte BE-ja në tre mujorin e parë, AstraZeneca do ta ketë të vështirë, sipas parashikimeve, të dërgojë gjysmën e sasisë.
Megjithë mungesat në vend dhe akuzat e përsëritura shpesh për proteksionizëm, BE-ja ka lejuar eksportimin e 34 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-it në vende të tjera, përfshirë 953,723 doza për Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, Rusia dhe Kina, dy vende pa zgjedhje të mirëfillta demokratike për udhëheqësit, i kanë përdorur vaksinat e tyre për të shtuar ndikimin ndërkombëtar.
Kina është zotuar të dërgojë afro 500 milionë doza të vaksinës së saj në më shumë se 45 vende, sipas një përllogaritjeje të bërë nga agjencia e lajmeve Associated Press. Katër nga prodhuesit kinezë të vaksinave kanë deklaruar se do të arrijnë të prodhojnë të paktën 2.6 miliardë doza brenda këtij viti.
Rusia ka dërguar miliona doza të vaksinës së saj Sputnik V në disa vende të botës, ndërkohë që vazhdon vaksinimin e popullatës së vet. Analistët thonë se synimi i kësaj diplomacie me vaksina është të ngrihet imazhi i Rusisë si një fuqi shkencore, teknologjike dhe bamirëse, sidomos në vende që nuk kanë arritur të sigurojnë vaksina pasi rezervat janë blerë në masë nga vendet më të pasura.
Edhe Izraeli, i cili ka vaksinuar më shumë se gjysmën e popullatës me vaksinën Pfizer të prodhuar në Evropë, është përpjekur të përdorë diplomacinë e vaksinave për të shpërblyer miqtë e aleatët.
Presidenti Biden u angazhua të ndihmojë me fonde programin e OKB-së/OBSH-së për vaksina, COVAX, i cili pritet të mbështesë fushatat e vaksinimit në më shumë se 90 vende me të ardhura të ulëta e të mesme, por SHBA ende nuk kanë premtuar mbështetje me doza vaksine./VoA/
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...