Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se dëshiron ta bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së.
Ai nuk e përjashton as përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta detyruar Danimarkën që ta dorëzojë ishullin me rëndësi strategjike dhe të pasur me minerale.
“Grenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht nëse dhe kur të bëhet pjesë e vendit tonë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social të hënën.
“Kjo është një marrëveshje që duhet të bëhet”, tha Trump të martën, ndërsa djali i tij, Donald Trump Jr., bëri një vizitë private në Grenlandë.
Trump shprehu interesim për blerjen e ishullit – me vetëm 57.000 banorë – nga Danimarka qysh në vitin 2019, por u refuzua, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Përse Trump e do Grenlandën?
Grenlanda, pjesë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik.
Ushtria amerikane ka prani të përhershme në bazën ajrore, Pitufik, në veriperëndim të Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interesim për zgjerimin e pranisë ushtarake atje, duke përfshirë edhe vendosjen e radarëve për të monitoruar ujërat midis ishullit, Islandës dhe Britanisë, të cilat shërbejnë si portë për anijet e marinës ruse dhe nëndetëset bërthamore.
Grenlanda është gjeografikisht pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut dhe është jetike për Shtetet e Bashkuara që të parandalojnë ndonjë fuqi tjetër të madhe për të krijuar terren në ishull, thotë Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert për Grenlandën në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare.
Ishulli, kryeqyteti i të cilit Nuk është më afër Nju Jorkut sesa kryeqyteti danez, Kopenhagë, krenohet me pasuritë e tij minerale, naftën dhe gazin natyror, por zhvillimi i tij ka qenë i ngadalshëm.
Një sondazh i vitit 2023 ka treguar se 25 nga 34 mineralet e konsideruara “lëndë të para kritike” nga Komisioni Evropian, janë gjetur në Grenlandë.
Ato përfshijnë sasi të konsiderueshme materialesh që përdoren në bateri, të tilla si grafiti dhe litiumi, si dhe të ashtuquajturat elemente të rralla të tokës që përdoren në automjetet elektrike dhe turbinat me erë.
Grenlanda e ka ndaluar nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror për arsye mjedisore, ndërsa zhvillimi i sektorit të saj minerar është penguar nga burokracia dhe kundërshtimet e njerëzve indigjenë.
Kjo ka bërë që ekonomia e Grenlandës të varet nga peshkimi, i cili përbën mbi 95% të eksporteve të saj, dhe subvencionet vjetore nga Danimarka, të cilat mbulojnë afërsisht gjysmën e buxhetit publik.
Në total, Danimarka shpenzon më pak se 1 miliard dollarë çdo vit në Grenlandë.
E kujt është Grenlanda dhe a mund ta blejë Trumpi?
Grenlanda ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet, por tani kontrollon shumicën e punëve të saj të brendshme si një territor gjysmësovran nën mbretërinë daneze.
Ajo është bërë territor zyrtar i Danimarkës në vitin 1953 dhe i nënshtrohet Kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e saj ligjor, do të kërkonte ndryshime kushtetuese.
Në vitin 2009, ishullit i është dhënë një autonomi e gjerë vetëqeverisëse, përfshirë edhe të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes referendumit.
Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili i ka intensifikuar përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e vet.
Në vitin 2019, edhe Grenlanda, edhe Danimarka e kanë refuzuar ofertën e Trumpit për blerjen e ishullit.
Kur Grenlanda ka qenë ende koloni, SHBA-ja, nën presidentin e atëhershëm, Harry Truman, ka bërë përpjekje ta blejë atë – si një aset strategjik gjatë Luftës së Ftohtë – për 100 milionë dollarë ar, por Kopenhaga nuk ka pranuar ta shesë.
Çka nëse Grenlanda bëhet e pavarur?
Nëse Grenlanda bëhet e pavarur, ajo mund të zgjedhë që të bashkohet me SHBA-në.
Shumica e grenlandezëve e duan pavarësinë, por pak e shohin si të zbatueshme, marrë parasysh varësinë ekonomike nga Danimarka, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian.
Një opsion mund të jetë krijimi i një pakti të ashtuquajtur “lidhje e lirë” me Shtetet e Bashkuara, i ngjashëm me statusin e ishujve të Paqësorit: Ishujt Marshall, Mikronezia dhe Palau.
“Grenlanda po flet për t’u bërë e pavarur nga Danimarka, por asnjë grenlandez nuk dëshiron të kalojë nën një pronar të ri kolonial”, thotë Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert për Grenlandën.
Ai e sheh të pamundur që Grenlanda të votojë për pavarësinë pa e siguruar mirëqenien e popullsisë së saj.
Çka do Grenlanda?
Shumica e banorëve të Grenlandës e mbështesin pavarësinë, por janë të ndarë sa i përket kohës kur dhe ndikimit të mundshëm në standardet e jetesës.
Që nga viti 2019, politikanët grenlandezë kanë thënë vazhdimisht se janë të interesuar për forcimin e bashkëpunimit dhe të tregtisë me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Aaja Chemnitz, anëtare grenlandeze e Parlamentit danez, ka thënë se ideja për marrjen e kontrollit nga SHBA-ja, duhet të refuzohet me vendosmëri.
“Nuk dua të jem një gur shahu në ëndrrat e nxehta të Trumpit për ta zgjeruar perandorinë e tij duke përfshirë edhe vendin tonë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Çka thotë Danimarka?
Oferta e Trumpit në vitin 2019 për ta blerë ishullin, është refuzuar me vendosmëri nga Danimarka – aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara – dhe është cilësuar si “absurde” nga kryeministrja Mette Frederiksen.
Kur u pyet për interesin e ripërtërirë të Trumpit të martën, Frederiksen tha: “Ne kemi nevojë për bashkëpunim shumë të ngushtë me amerikanët”.
“Nga ana tjetër, do të doja t’i inkurajoja të gjithë që ta respektojnë faktin se grenlandezët janë një popull, është vendi i tyre dhe vetëm Grenlanda mund ta përcaktojë dhe definojë të ardhmen e Grenlandës”, tha kryeministrja daneze.
Alarmi i Austin: Ukraina është në fije të perit
Nëse Kvaratskhelia shitet, Napoli do ta synojë Zhegrovën
Dalja e dhëmbëve të parë të bebes
Presidenti i Libanit: Nuk mund ta çarmatosim Hezbollahun
Driloni hap zemrën për Sarën: Mosha e saj nuk është problem ...
Raportohen pesë raste të reja me variantin e ri të virusit M...