Përplasjet Trump-Biden mbi qasjen amerikane ndaj Kinës

02:13 | 27 Korrik 2020
Trina Galanxhi

Në vazhdën e pandemisë së koronavirusit që e ka origjinën në Kinë, Presidenti Donald Trump ka ndjekur një politikë gjithnjë e më të ashpër ndaj Pekinit, duke e bërë politikën amerikane ndaj Kinës një çështje kryesore në fushatën zgjedhore presidenciale. Zoti Trump, i cili këtë javë urdhëroi mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston, ka kritikuar rivalin e tij të partisë demokrate, ish-nënpresidentin Joe Biden, duke a quajtur atë të butë ndaj Kinës. Por, zoti Biden gjithashtu e portretizon veten si të ashpër ndaj Kinës dhe ka kritikuar politikat e Presidentit Trump, duke i quajtur ato joekzistente dhe joefektive.

Në të kaluarën Presidenti Trump theksuar natyrën reciproke të marrëdhënies së tij me Presidentin Kinez Xi Jinping dhe përparimin drejt një marrëveshje të re tregtare që do të rriste eksportet bujqësore amerikane.

Por, Presidenti Trump ka ndjekur një qasje më të ashpër ndaj Pekinit për nënvlerësimin që i bëri shpërthimit të koronavirusit kur u shfaq për herë të parë në provincën e Wuhanit.

“Ajo që është lëshuar nga Kina në botë, është e vështirë të imagjinohet”, tha Presidenti Trump.

Administrata e Presidentit Trump të mërkurën urdhëroi mbylljen e konsullatës së Kinës në Hjuston, duke e akuzuar atë për spiunazh të paligjshëm dhe vjedhje të pronës intelektuale amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj Kinës për shkeljen e të drejtave të njeriut të komunitetit mysliman të ujgurëve, dhe shkeljen e lirive civile në Hong Kong.

Ekspertët e diplomacisë janë të shqetësuar rreth strategjisë së re të ashpër të Presidentit Trump.

“Është më armiqësore dhe konfrontuese në mënyra që unë mendoj se do të dëmtojnë interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Rachel Esplin Odell nga Instituti Quincy për Përgjegjësitë Shtetërore.

Ish këshilltari i Presidentit Trump i kthyer në kritikë, John Bolton, ka kritikuar gjithashtu ashpërsimin e politikës ndaj Kinës, duke i thënë Zërit të Amerikës se ajo është e lidhur me fushatën zgjedhore.

“Unë mendoj se marrëdhënia e zotit Trump me zotin Xi Jinping shkon lart e poshtë në varësi të perspektivës për ditën e zgjedhjeve. Dhe nëse zoti Trump fiton zgjedhjet, unë mendoj se Xi Jinping përsëri do të jetë një mik i tij i madh”, tha ai.

Presidenti Trump tani po përdor politikën e tij të ashpër ndaj Kinës për të sulmuar rivalin e tij demokrat, ish nënpresidentin Joe Biden, duke e quajtur atë të butë ndaj Kinës.

“Kur ishte nënpresident, Biden kundërshtoi tarifat. Dhe ai e mbështeste Kinën, nuk donte të bënte asgjë për të prishur marrëdhëniet me Kinën.”

Si nënpresident në administratën e Presidentit Barack Obama, Biden mbështeti angazhimin e kushtëzuar me Kinën për çështje të tregtisë dhe sigurisë.

“Ne nuk kemi frikë nga rritja e Kinës, ne duam ta shohim Kinën të rritet. Të vazhdojë të rritet në një mënyrë të përgjegjshme”, tha ish nënpresidenti Biden.

Por administrata e Presidentit Obama gjithashtu u përpoq të frenonte agresionin kinez duke rritur praninë ushtarake amerikane në Paqësor dhe duke forcuar aleancat rajonale.

Ish nënpresidenti Biden ka kritikuar Presidentin Trump se ai përdor një gjuhë të ashpër, por ndërmerr veprime të dobëta që nuk arrijnë të frenojnë Kinën. Zoti Biden ka thënë se do të vendosë sanksione më të forta ndaj Kinës, por kritikët thonë se ai nuk ka një strategji të qartë alternative.

“Mendoj se ai nuk ka një filozofi koherente ose vizion të politikës së jashtme, por ai në njëfarë mënyre reagon”, tha Giselle Donnelly, analiste e Sigurisë Kombëtare në Institutin American Enterprise.

Të dy fushatat kanë akuzuar gjithashtu njëra-tjetrën se kanë lidhje biznesi familjar me kompanitë kineze, duke paraqitur konflikte të mundshme interesi./noa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme