Google ADS

Përplasje Gjermani-Rusi

23:23 | 14 Janar 2019
Arbresh.info

Plani gjermano-rus për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” po ndikon marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Berlinit. Gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2” rrit drejtpërdrejt eksportin e gazit rus drejt Gjermanisë, duke anashkaluar Ukrainën. Ministri i Jashtëm gjerman Haiko Mass, tha se çështjet e politikës europiane të energjisë duhet të vendosen në Europë dhe jo në Shtetet e Bashkuara.
ShBA dhe Gjermania janë përfshirë në një konflikt diplomatik i cili po ndikon planin gjermano-rus për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”.

E përditshmja “Bild”, njoftoi se ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenel, kërcënoi direkt me një letër, për të sanksionuar kompanitë gjermane të përfshira në projekt.

Ky fakt u konfirmua më pas edhe nga zëdhënësi i Ambasadës.

“Letra kujton se të gjitha kompanitë që veprojnë në sektorin e ndërtimit të tubacioneve për eksportin e gazit rus janë të ekspozuar ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara,” theksoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Berlin.

Plani për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” parashikon rritjen e eksportit të gazit rus drejt Gjermanisë dhe vende të tjera europiane nëpërmjet Baltikut, duke anashkaluar Ukrainën.

Politikanët në Uashington besojnë se Moska po kërkon të izolojë më tej Ukrainën dhe të rrisë varësinë e Europës ndaj gazit rus. Tubacioni i ri ndjek rrugën e njëjtë si “Rrjedha Veriore 1”, duke kaluar nëpërmjet ujërave të pesë vendeve: Rusisë, Finlandës, Suedisë, Danimarkës dhe Gjermanisë.

Disa mendojnë se shkaku i kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara është shitja e gazit amerikan te europianët. Nën presion, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se duhen mbrojtur interesat e Ukrainës dhe se një pjesë e gazit rus duhet të vazhdojë të kalojë nëpër territorin e saj.

Ministri i Jashtëm gjerman Haiko Mass that ë enjten se “çështjet e politikës europiane të energjisë duhet të vendosen në Europë dhe jo në Shtetet e Bashkuara.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme