Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

10:39 | 23 Korrik 2024
E.G

Gazetari taxhik, Temur Varki, është habitur kur e ka pranuar një thirrje prej policisë së Parisit, në fund të marsit, disa ditë pasi militantë prej vendlindjes së tij, të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë dyshuar se kanë kryer një masakër në Moskë.

Dy zyrtarë e kanë marrë në pyetje për komunitetin e vogël të imigrantëve taxhikë në Francë.

“Kë e njihni? Sa prej tyre? Ku?”, ka rikujtuar Varki ta kenë pyetur zyrtarët, dhe njëri prej tyre ka folur rusisht, gjuhë e përdorur shpesh në Azinë Qendrore, ku gjendet Taxhikistani.

Varki, refugjat në Francë, i cili ka punuar për media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, u ka thënë zyrtarëve policorë se njeh pak taxhikë në Francë dhe ata janë kryesisht disidentë.

“Por, nuk e njoh asnjë xhihadist”, u ka thënë ai.

Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Aty përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës, policë, diplomatë dhe migrantë të Azisë Qendrore, të cilët janë kontaktuar prej autoriteteve.

Këto operacione vijnë pas dy sulmeve të mëdha të këtij viti, për të cilat autoritetet deklarojnë se janë kryer prej anëtarëve taxhikë të grupit Shteti Islamik i Korasanit (IS-K), degë e IS-it, që është emëruar sipas rajonit historik të Korasanit, e që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

Sulmet me bomba në Iran, më 3 janar, kanë vrarë rreth 100 njerëz në një ceremoni përkujtimore për komandantin e vrarë iranian, Qassem Soleimani, derisa më 22 mars, në Moskë, sulmuesit kanë shtënë me armë në sallën e koncerteve Crocus, duke vrarë më shumë se 120 njerëz.

Autoritetet franceze kanë thënë se tashmë kanë penguar kryerjen e një sulmi islamik në Olimpiadë, duke arrestuar në maj një çeçen, 18-vjeçar, të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist në emër të IS-it, në stadiumin e futbollit Saint-Etienne, në të cilin do të luajnë Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

Duke marrë parasysh të kaluarën koloniale dhe rritjen e disponimit kundër myslimanëve, por edhe përfshirjen historike në luftërat në Lindje të Mesme dhe ato afrikane, Franca ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve islamiste.

Muajin e kaluar, shefi policor i Parisit, Laurent Nunez, ka thënë se “terrorizmi islamist është shqetësimi ynë kryesor” në Olimpiadë, ndonëse autoritetet kanë thënë se nuk kanë vërejtur kërcënime direkte kundër Lojërave.

Taxhikistani, i prekur prej luftërave civile në vitet ’90, është vendi më i varfër në ish-republikat sovjetike.

Ai varet prej remitencave të migrantëve, që jetojnë kryesisht në Rusi, dhe përbëjnë gati gjysmën e hyrave në ekonomi.

Burrat e varfër dhe të izoluar të diasporës taxhike kanë dalë të jenë shënjestra atraktive për rekrutim prej anëtarëve të grupit IS-K, sipas shumë ekspertëve të sigurisë.

Megjithatë, inteligjenca franceze ka pak asete të Azisë Qendrore, ka thënë një burim për Reutersin, prandaj vështirë depërton ne komunitetin e tyre.

Sipas Asociacionit të Taxhikëve të Francës, në këtë vend janë rreth 30 familje taxhike.

Ky burim i inteligjencës ka thënë se IS-K përbën kërcënim relativisht të ri, pasi të rekrutuarit që jetojnë jashtë vendit mund të radikalizojnë shtetasit e Azisë Qendrore në Francë, për të kryer sulme në tokën franceze.

Si dëshmi, ky burim e ka përmendur rastin e një burri taxhik, që është arrestuar më 2022, për organizim të një sulmi në Strasburg. Ky burim ka thënë se ai person ka qenë duke vepruar sipas udhëzimeve të anëtarëve të grupit IS-K, jashtë shtetit.

Inteligjenca e këmbyer në mes të Rusisë dhe Francës për Shtetin Islamik, dhe grupet tjera ekstremiste, është zvogëluar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka thënë ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në prill të këtij viti.

Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, që koordinojnë sigurinë e ekipit amerikan në Olimpiadë, i kanë thënë Reutersit se, kanë besim në përgatitjet e Francës.

Pa hyrë në hollësi, ata kanë thënë se tentimet franceze për të krijuar lidhje të ngushta me popullatën taxhike, kanë reflektuar për një praktikë e zakonshme kundër terrorizmit, për të mësuar më shumë për figurat kërcënuese brenda komunitetit.

“Secili do të kishte më shumë” informacione për kërcënimet prej Azisë Qendrore, ka thënë njëri prej tyre.

Luftëtarë të ikur prej Sirisë
Kërcënimi më i madh prej militantëve taxhikë në Evropë vjen prej dhjetëra burrave të radikalizuar që kanë luftuar në Siri dhe kanë depërtuar në kontinentin evropian prej Ukrainës, sipas Lemonit dhe dy ekspertëve tjerë për Azinë Qendrore.

Vitin e kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar gjashtë persona të Azisë Qendrore, për të cilët ka pasur dyshimet se kanë tentuar të krijojnë një organizatë terroriste.

Ata tani janë në burg, në pritje të gjyqit.

Lemon beson se në Evropë jetojnë mijëra taxhikë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani.

Shumica prej tyre janë refugjatë politikë, që janë shpërngulur një dekadë më parë, pasi presidenti taxhik, Emomali Rakhmon, ka shpallur dy lëvizjet opozitare – Grupi 24 dhe Partia Islamike e Rezistencës – si parti terroriste dhe ekstremiste.

Rakhmon, aleat i Rusisë, e ka udhëhequr Taxhikistanin për 30 vjet.

Varki, kritik i hapur i Rakhmonit, ka thënë se ka kërkuar azil në Francë më 2016, sepse ai e pëlqen shumë kulturën dhe letërsinë franceze.

Ai ka thënë se nuk ka biseduar kurrë me autoritetet franceze të sigurisë në Francë, derisa ata e kanë kontaktuar në mars.

Muhammadiqboli Sadriddin, një tjetër disident taxhik, që jeton në Francë, ka thënë se edhe ai është ftuar prej policisë.

“Më kanë pyetur se çfarë di”, ka thënë Sadriddin.

Ai ka thënë se ka dashur të ndihmojë, por nuk e ka njohur asnjë taxhik me ide radikale.

Tre ekspertë i kanë thënë Reutersit që tentimet e Francës për të depërtuar te komuniteti taxhik mund të kenë efekt të kundërt.

Një ish-spiun amerikan, ka thënë në kushte anonimiteti se, inteligjenca franceze është duke bërë punë të mirë, në përgjithësi.

Mirëpo, ai beson që rritja e presionit ndaj taxhikëve për informacion, mund t’i stigmatizojë ata dhe t’i frikësojë që të identifikojnë ndonjë individ të rrezikshëm.

Jean-Francois Ratelle, specialist për militantët islamikë në Universitetin e Otavës, është pajtuar.

“Ky ndërtim i marrëdhënies me komunitetin do të duhej të kishte ndodhur vite më parë. Nëse mendësia është te luftimi i terrorizmit, receta është e dështuar”, ka thënë ai./rel/

Të ngjashme