Armenia dhe Azerbajxhani kanë këmbyer akuza të reja për shkelje të armëpushimit të arritur ditë më parë.
Javën e kaluar janë zhvilluar përleshjet më të rënda në mes të këtyre dy shteteve prej vitit 2020, kur ka shpërthyer lufta për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Në disa deklarata të lëshuara nga ministrat e Mbrojtjes së të dyja shteteve, palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisje të përleshjeve në kufirin e përbashkët.
Pas luftimeve dyditore që kanë lënë të vdekur më shumë se 200 ushtarë në fillim të javës së kaluar, të dyja palët janë pajtuar për armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, për t’iu dhënë fund armiqësive.
Megjithatë, situata ka qenë e tensionuar.
“Më 23 shtator, njësitet e forcave të armatosura të Azerbajxhanit kanë shkelur sërish armëpushimin duke nisur sulme nga pozicione të ndryshme kundër pozicioneve luftarake armene”, ka thënë Ministria armene e Mbrojtjes.
“Armiku është heshtur përmes veprimeve hakmarrëse”, ka thënë, Aram Torosian, zëdhënës i ministrisë.
Ministria ka thënë se një ushtar armen është plagosur.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan ka fajësuar Armeninë për nisje të sulmeve.
Bakuja ka thënë se forcat e armatosura armene kanë nisur sulmet në tri zona të ndryshme të kufirit.
Ministria ka thënë se ka marrë “masa adekuate hakmarrëse”.
Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë, janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.
Rreth 6.000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit 2020.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij, janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene. /rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...