Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Turqinë të mos ndërmarrë hapa të tjerë për të aktivizuar sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, duke theksuar se do të ketë pasoja. Këto kërcënime ka gjasa ta shtyjnë më shumë Ankaranë drejt Moskës.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë, të cilat janë ftohur vitet e fundit, pësuan një goditje të re këtë javë kur Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi se ushtria e tij kishte bërë prova me sistemin e ri të prodhimit rus.
Njoftimi u pasua me kritika të forta nga zyrtarët amerikanë. Një zyrtar i lartë i shtetit tha të mërkurën se rreziku i sanksioneve të reja kundër Turqisë ishte “shumë real”.
“Sanksionet pa diskutim janë ndër opsionet e mundshme,” tha Ndihmës Sekretari i Shtetit R. Clarke Cooper në komente për shtyp.
Sisteme të papërputhshme
Sistemi S-400 jo vetëm që nuk përshtatet me platformat amerikane, tha zoti Cooper, por “nuk përshtatet as me sistemet e mbrojtjes të NATO-s”.”Nëse Turqia e aktivizon këtë sistem do të shtojë kërcënimin për sanksione dhe kufizime të mëtejshme,” tha ai.
Turqia nënshkroi marrëveshje për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia në 2017. Në korrik 2019 filluan të mbërrijnë elementët e sistemit.
Që nga ajo kohë, SHBA ka pezulluar pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionëve të fshehtë luftarakë F-35 dhe ka përsëritur kërcënimet kundër Ankarasë.
Zoti Cooper sinjalizoi të mërkurën se Amerikës po i humbet durimi me Ankaranë.
“Gjatë vitit të kaluar, Turqia shpërdoroi mundësinë për të ndrequr marrëdhëniet dhe për t’u kthyer në rrugën e duhur me SHBA dhe NATO-n,” tha ai.
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se përdorimi i sistemit të avancuar të radarëve rusë nga Turqia mund të kompromentojë sistemet ushtarake të NATO-s dhe mund të përdoret për të shenjestruar avionët e NATO-s në Turqi, përfshirë avionët F-35.
Presidenti Erdogan, megjithatë, ka injoruar paralajmërimet duke u thënë gazetarëve javën e kaluar se qëndrimi amerikan “absolutisht nuk na shqetëson”.
Megjithë ngërçin në dukje, SHBA nuk kanë hequr dorë nga përpjekjet për ta afruar drejt vetes Ankaranë.
Zoti Cooper, i cili ishte kohët e fundit për vizitë në Greqi dhe Bullgari, tha se SHBA kanë inkurajuar të dy vendet, si dhe aleatët e NATO-s të bëjnë ç’është e mundur “për të garantuar që Turqia mbetet me Perëndimin”.
“Role të rëndësishme” për Turqinë
“Nuk është në interes të Aleancës që Turqia të mos jetë në këtë organizatë,” tha zoti Cooper. “Ankaraja ka role të rëndësishme për ne në interes të sigurisë së Evropës dhe rajonit”.
Mbetet për t’u parë nëse përpjekjet e aleatëve do të arrijnë të neutralizojnë ato që zoti Cooper dhe zyrtarë të tjerë i cilësojnë si “veprime penguese të Moskës, që tentojnë të na përçajnë”.
Nëse këto përpjekje dështojnë, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se Ankaraja, ashtu si SHBA dhe NATO, do të vuajë pasoja.
“E vetmja palë që përfiton nëse Turqia shkëputet nga Perëndimi apo ndahet nga Evropa, është Moska,” tha zoti Cooper./VOA
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...