Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën, pasi ai ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s – që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje – nga një pushtim potencial prej Rusisë.
“Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim.
“Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, ka thënë ai.
Trump ka gjasa të fitojë nominimin e republikanëve në garën presidenciale, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka reaguar, po ashtu.
“Motoja e NATO-s është ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe ky është përkushtim konkret. Minimi i kredibilitetit të shteteve aleate nënkupton dobësim të gjithë NATO-s”, ka thënë ai në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
“Asnjë lloj i fushatës nuk është arsyetim për të luajtur me sigurinë e aleancës”.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka postuar një mesazh “Një për të gjithë, të gjithë për një’ me thirrjet “Së bashku më të fortë”, gjithashtu, në X, pas komenteve të Trumpit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se “deklaratat për sigurinë e NATO-s dhe Aktin 5, u shërbejnë vetëm interesave të [presidentit rus, Vladimir] Putin”.
Artikulli 5 i traktatit të NATO-s përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari të aleancës konsiderohet sulm kundër të gjitha vendeve dhe nxit mbrojtje të përbashkët.
Trump, duke e rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, gjatë një marshi politik në Karolinën e Jugut, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”
“I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”.
“Ne e kemi dëgjuar këtë më parë… asgjë e re”, ka thënë Komisionari i Bashkimit Evropian për Treg të Brendshëm, Thierry Breton, në një intervistë për televizionin francez LCI.
“Ai ndoshta ka probleme me kujtesën, mirëpo në fakt ka qenë një presidente, jo një shtet, por Bashkimi Evropian”, ka thënë Breton, duke iu referuar një bisede që ka pasur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me Trumpin, më 2020.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe i pavarur – e rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”.
Të 31 vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që të ndajnë të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në fushën e mbrojtjes, mirëpo të dhënat e NATO-s kanë treguar e vetëm 11 prej tyre janë duke vepruar ashtu./rel
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...
Edi i hedh kunja Gjestit: Burri që o burrë duhet me i peshu ...
Xheneta për Gjestin: Kur ka kajt për mua, me ka bërë krenare...
Gjykata Kushtetuese konfirmon një nga masat e sigurisë ndaj ...
Brazil, ish-presidenti akuzohet për “grusht shteti” kundër d...
Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, ...