Google ADS

Perëndimi “braktis” Ukrainën, në draftin e Konferencës së Zvicrës nuk shqyrtohet integriteti territorial

18:42 | 5 Qershor 2024
KRG

Perëndimi po përgatitet ti kthejë shpinën Ukrainës. Një konkluzion i tillë, citon revista e njohur Bloomberg, vjen nga drafti që pritet të miratohet nga Konferenca e Paqes në Zvicër në datat 15-16 Qershor. Vendet perëndimore ia kanë reduktuar në vetëm tre pika, nga 10 të propozuar nga Zelenskyy, kërkesat e Ukrainës në mënyrë që ta arrihet paqja me Rusinë.

Drafti parashikon që konferenca e paqes në Zvicër të fokusohet në tre pika: siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer. Deri këtu asgjë e re citon Bloomberg. Teksti bazë i draftit parashikon sigurinë e centraleve bërthamore dhe shpall çdo kërcënim të përdorimit të armëve bërthamore si “të papranueshëm”.

Objektet bërthamore, përfshirë termocentralin Zaporizhia duhet të funksionojnë nën kontrollin e Ukrainës dhe në përputhje me parimet e vendosura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Për sa i përket sigurisë ushqimore, “ajo duhet të garantohet me lundrimin falas në Detin e Zi dhe Detin Azov: Ukraina duhet të ketë akses te palët e treta për produktet e saj bujqësore”.

Në pikën e fundit, të draftit parashikohet se “të gjithë të burgosurit e luftës duhet të lirohen, duke përfshirë të gjithë fëmijët dhe civilët ukrainas të deportuar dhe të zhvendosur ilegalisht. Plani i Zeleneskyy i para një viti përfshinte sigurinë energjetike, integritetin territorial, tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina dhe kompensimin e dëmeve, për të përmendur disa prej tyre.

Ndërkohë, plani i paqes që pritet të dalë nga Konferenca e Zvicrës, nuk përmend integritetin territorial të Ukrainës. Bloomberg beson se këto lëshime nga perëndimi bëhen për të afruar më shumë Rusinë me parimet e paqes, por në të vërtetë për shumë analistë kjo shikohet si një projekt i mirëfilltë ndarjeje për Ukrainën.

Drafti lë të kuptohet se Zelenskyy është i gatshëm për bisedime paqeje më Putin, por ky i fundit kërkon largimin e kreut të qeverisë ukrainase pasi i ka mbaruar mandati kushtetues. Sakaq, Konferenca e Zvicrës pritet të jetë një dështim, pasi në të do të mungojnë dy aktorë të rëndësishëm të skenës botërore, Joe Biden dhe Xi Jinping./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme