Për ukrainasit, Gorbaçovi mbetet një “imperialist”

01:46 | 2 Shtator 2022
Trina Galanxhi

Mikhail Gorbaçovi mund të ishte mbajtur mend për çeljen pa dashje të rrugës drejt pavarësisë së Ukrainës, por mbështetja e tij për aneksimin e Krimesë dhe heshtja për sulmin e Rusisë kanë njollosur reputacionin e tij në Ukrainë.

Nën drejtimin e Mikhail Gorbaçovit, udhëheqësit të fundit të Bashkimit Sovjetik, filloi procesi i shpërbërjes që mundësoi krijimin e 15 vendeve të reja të pavarura, ndër to edhe Ukraina.

Por, nuk është e rastësishme që qeveria e Ukrainës nuk është shprehur ende, një ditë pas vdekjes së Gorbaçovit, nëna dhe gruaja e të cilit ishin me origjinë ukrainase.

Ukrainasit në rrugët e Kievit të mërkurën nuk i fshehin ndjenjat e tyre për udhëheqësin e fuqisë “pushtuese” dhe “imperialiste” sovjetike.

“Jam shumë i kënaqur që vdiq. Sa më shumë armiq dhe mbështetës të tyre që të vdesin, aq më i lumtur do të jem”, tha 32-vjeçari Oleksandr Stepanov.

Katerina Boyuk, studente 17-vjeçare, është e bindur se Gorbaçovit “nuk i interesonte” Ukraina dhe se pavarësia e vendit “nuk ka fare të bëjë” me të.

“Ai ishte thjesht sundues i BRSS-së, dhe nuk arriti të mbajë fronin e tij”, tha ajo.

“Mendoj se ai është po aq agresor sa udhëheqësit e tanishëm të Kremlinit”, tha Vytalya Formantchuk, 43 vjeç, duke shtuar se Gorbaçovi “bëri shumë përpjekje për të shkatërruar ukrainasit, kulturën dhe gjuhën e tyre”.

Armiqësia e hapur e ukrainasve ndaj Gorbaçovit vjen edhe për shkak të heshtjes së tij për sa i përket sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Gorbaçovi, përgjithësisht popullor në Perëndim, nuk komentoi ndonjëherë publikisht për atë që u shndërrua në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një anëtar i rrethit të tij të brendshëm, gazetari rus Alexei Venediktov, tha në korrik se Gorbaçovi ishte “i zhgënjyer, sigurisht”.

Për më keq, Gorbaçovi ka shprehur mbështetjen për aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Ai mbajti qëndrimin se “njerëzit” ishin shprehur në referendumin për bashkimin e këtij gadishulli me Rusinë, që perceptohet gjerësisht si një sajesë.

Kievi nuk e fali ndonjëherë për këtë gjë.

Gorbaçovi perceptohet në Ukrainë “me shumë skepticizëm – ne nuk kemi entuziazmin që vërehet në nekrologjitë në mbarë botën për të”, tha Volodymyr Yermolenko, kryeredaktor i faqes në internet ukraineworld.com.

“Fati i tij është i njëjti fat si i shumë reformatorëve rusë që duan reforma, por vetëm deri në një pikë të caktuar: kur njerëzit fillojnë të vënë në dyshim imperializmin rus dhe dekolonizimin”, tha ai.

Gorbaçovi ishte udhëheqësi sovjetik në vitin 1986, kur shpërtheu reaktori numër 4 bërthamor i Çernobilit, duke shkaktuar aksidentin më të rëndë bërthamor në botë dhe duke përhapur kontaminimin radioaktiv në të gjithë Evropën.

Moska fillimisht u përpoq të minimizonte shkallën e katastrofës dhe vonoi evakuimin e vendasve.

Gorbaçovi fajësohet gjerësisht për këtë dhe për vendimin për të mbajtur paradën e 1 majit në Kiev pesë ditë më vonë.

Mijëra njerëz, përfshirë shumë fëmijë, marshuan nëpër qytet duke mbajtur lule dhe duke kënduar këngë, të pavetëdijshëm për renë radioaktive që i rrethonte.

Gorbaçovi “ishte një imperialist i zakonshëm rus. Ai thjesht bëri gjithçka që mundi për të shpëtuar BRSS-në dhe për të rivendosur Perandorinë Ruse, e cila tani po bën luftë kundër nesh”, postoi blogeri dhe aktivisti i njohur Yuri Kasyanov në Facebook.

I papëlqyer nga rusët dhe i refuzuar nga ukrainasit, Gorbaçovi vazhdonte të fliste rregullisht për rrënjët e tij ukrainase.

“Unë jam, në fund të fundit, gjysmë ukrainas. Nëna ime ishte ukrainase dhe gjithashtu gruaja ime, Raisa,. Fjalët e mia të para i thashë në gjuhën ukrainase dhe këngët e para që dëgjova ishin ukrainase”, tha ai në një intervistë të vitit 2015 me revistën gjermane “Der Spiegel”./voa/

Të ngjashme