Priftërinjtë janë të përjashtuar nga shërbimi ushtarak në Gjeorgji. Liberalët vendas po e përdorin tani këtë fakt për të ngulur këmbë për reformimin e ushtrisë.
Nika Oboladze është 26 vjeç dhe prej dy muajsh është prift. Dhe, sa herë që e thotë këtë gjë, atij i vjen për të qeshur.
Nika Oboladze është zëdhënës i Partisë Liberale Girchi, një fraksion i partisë liberale Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (UNM). Në fund të marsit ai dhe shokët e tij kanë krijuar një kishë dhe kanë emëruar veten si peshkopë, kryepeshkopë dhe priftërinj. Kisha e tyre quhet “Kisha Gjeorgjiano-Kristiano-Protestanto-Ungjillore e Lirisë Biblike” dhe po shndërrohet në një strehë shpëtimi për të rinjtë gjeorgjianë që duan të shmangin legalisht shërbimin e detyruar ushtarak.
Sfondi i këtij veprimi nuk është pacifizmi.
“Shumica e gjeorgjianëve duan të shkojnë në ushtri. Por, ata ndjehen të shpërdorur”, shpjegon Oboladze.
Një ndër katër rekrutë ngarkohet të shërbejë si roje objektesh ose truproje.
“Një vit të tërë ata qëndrojnë para dyerve të Ministrive, shoqërojnë politikanë apo punojnë në ndërtim dhe marrin 20 euro në muaj pagesë”, ankohet ai. “Dhe, e shumta gjatë gjithë kësaj kohe ata shkrepin dhjetë fishekë.”
Shumë gjeorgjianëve nuk u pëlqen që ushtarët nuk stërviten dhe shkollohen si duhet. Atyre u kujtohen mirë ngjarjet e vitit 2008 kur tanket ruse hynë deri afër Tbilisit për shkak të luftës me provincën separatiste të Osetisë së Jugut. Edhe ndaj fqinjëve Turqisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë, ku Rusia ka një bazë ushtarake, ata kanë ndjenja të përziera.
Sjellja arbitrare ndaj ushtarëve lidhet me periudhën sovjetike, kur oficerët e lartë i vinin ushtarët të ndërtonin shtëpitë e tyre private. Protestat e dikurshme kundër kësaj praktike të njohur kaluan pa u vënë shumë re për shkak të nepotizmit. Por, kjo praktikë vazhdon dhe Girchi dëshiron ta ndryshojë këtë. Prandaj, u ka shpërndarë 500 burrave certifikatën e priftit – dhe me këtë edhe mundësinë për t’ju shmangur shërbimit ushtarak.
Në Gjeorgji ekziston shërbimi ushtarak njëvjeçar i detyrueshëm për të rinjtë nga mosha 18 deri 27-vjeçare. Nga ky rregull përjashtohen baballarët e fëmijëve të vegjël, studentët dhe klerikët. Familjet e pasura paguajnë disa mijëra euro dhe Ministria e Mbrojtjes i liron nga detyrimi i shërbimit ushtarak. Por, me të ardhura mesatare prej 250 euro një muaj, këtë gjë nuk mund të përballojnë shumë gjeorgjianë.
Partia Girchi kërkon një shërbim ushtarak prej tre muajsh me trajnim dhe stërvitje ushtarake me cilësi të lartë dhe me pagesë të arsyeshme për të gjithë.
“Me rezervistë të trajnuar keq, ne nuk mund të bëjmë asgjë në rast nevoje,” thotë Oboladze. “Ushtria e Gjeorgjisë ka nevojë për një reformë.”
Ndërkohë ka mjaft organizata, si Qendra Liberale për Përfshirje Civile (CCI), që e përkrahin këtë nismë. Drejtori i saj, Lasha Giorgadze, thotë se ideja e tij është një ushtri e ngjashme me atë të Izraelit, pra “e pajisur mirë, me rezervistë të trajnuar, e hapur edhe për gratë dhe me mundësi për shërbim ushtarak alternativ.”
Deri tani Parlamenti dhe Qeveria nuk janë shprehur zyrtarisht për kërkesat për reformimin e ushtrisë. Në maj kryetari i Komisionit për Mbrojtjen dhe Sigurinë, Irakli Sesiashvili, tha se po punohet për një projektligj.
Derisa ky ligj të miratohet dhe të nisin reformat, Girchi, do të vazhdojë me aksione spektakolare. /DW/
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia