Google ADS

Për rastin e Khashoggit, mbreti saudit thyen heshtjen

22:45 | 19 Nëntor 2018
Arbresh.info

Mbreti i Arabisë Saudite ka thyer heshtjen në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit, duke deklaruar se përgjegjësit nuk do t’i shpëtojnë ligjit të Zotit.

Megjithatë, gjatë fjalimit të mbajtur përpara asamblesë parlamentare, monarku nuk i ka komentuar zërat se pas vrasjes së gazetarit qëndron i biri.

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ka folur të hënën për herë të parë në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Fjalimi i tij, i mbajtur në një seancë të asamblesë parlamentare të mbretërisë, erdhi pak ditë pasi kryeprokurori saudit rekomandoi dënimin me vdekje për 5 të dyshuar për vrasjen.

Megjithatë, gjatë ligjërimit monarku nuk i komentoi dyshimet e ngritura nga CIA se djali i tij, princi i kurorës Mohamed bin Salman, urdhëroi ekzekutimin.

Në vend të komenteve, mbreti e vuri theksin tek organet e drejtësisë që në Arabinë Saudite po menaxhojnë hetimet mbi vrasjen e 2 tetorit në konsullatën saudite në Stamboll.

“Mbretëria jonë u themelua mbi Islamin e bazuar tek drejtësia. Ne duhet të ndihemi krenarë për përpjekjet që po bëjnë gjyqësori dhe prokuroria në përmbushjen e detyrave që u janë besuar dhe duhet të ritheksojmë se vendi ynë nuk do t’i shmanget zbatimit të ligjit të Zotit”, tha Salman përpara strukturës parlamentare të pazgjedhur nga populli, por që ka rol këshillues për familjen mbretërore.

Pasi e mohuan disa herë me radhë përgjegjësinë për vrasjen e Jamal Kashoggit, autoritetet saudite deklaruan më vonë se ai ishte ekzekutuar nga agjentë rebelë të shërbimeve sekrete.

Ndërkohë, një seri informacionesh të publikuara në mediat ndërkombëtare e kanë lidhur vrasjen me princin e kurorës; por deri tani Mohamed bin Salman nuk është përfshirë në hetimet e autoriteteve saudite.

Në vijim të fjalimit, mbreti Salman përsëriti mbështetjen për nismën qeverisëse të të birit për të ndryshuar ekonominë saudite të varur nga nafta dhe për të ulur papunësinë.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme