Për herë të parë anulohet debati presidencial në SHBA

12:37 | 10 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Është anuluar zyrtarisht debati i dytë presidencial mes shtetarit amerikan, Donald Trump, dhe kundërshtarit demokrat, Xho Bajden.

Vendimi i Komisionit të posaçëm për Debatet Presidenciale erdhi pasi dy kandidatët njoftuan se të mërkurën e ardhshme do organizonin secili tubime elektorale me mbështetësit e vet.

Trump ishte i pari që refuzoi këtë javë pjesëmarrjen kur u bë e ditur se debati për arsye shëndetësore do mbahej nga interneti dhe jo përballë njëri-tjetrit.

Presidenti tha se nuk kishte arsye pse përballja të mos zhvillohej në studio, sepse ai vetë është shëruar nga sëmundja infektive e kovidit-19 me të cilën u diagnostikua vetëm 10 ditë më parë.

74-vjeçari tha të premten në intervistën e parë televizive pas shtrimit në spital se ai ndihej mirë fizikisht dhe nuk merrte më medikamente pas fitimit të antitrupave ndaj koronavirusit.

Sipas ekspertit të sëmundjeve infektive në vend, doktorit Entoni Fauçi, presidenti amerikan me gjasë ishte viktimë e pakujdesisë, pasi më 26 shtator stafi i tij festoi pa maska dhe pa respektuar distancat me rastin e kandidimit të anëtares së re të Gjykatës së Lartë amerikane.

Deri tani dhe 11 pjesëtarë të stafit presidencial kanë rezultuar pozitiv në testin e kovidit.

Trump ka planifikuar gjatë ditës një fjalim nga Shtëpia e Bardhë përpara qindra të pranishmëve teksa vijon prezantimin e programit elektoral për një mandat të dytë në presidencë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme