Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, janë shfaqur disa grupe në rrjetet sociale ku anëtarët e ushtrisë ruse mund – në mënyrë anonime ose ndryshe – të flasin për problemet, me të cilat ballafaqohen për shkak të pjesëmarrjes së tyre në luftën në Ukrainë dhe mund të kërkojnë ndihmë nga një avokat.
Ankesat e tyre reflektojnë situatën e rëndë në ushtrinë ruse. Shumë ushtarë nuk janë bërë pjesë e rotacionit që të kthehen në shtëpi edhe pas më shumë se gjashtë muajsh; pagesat për pjesëmarrje në luftime janë vonuar; dhe vullnetarët e “rezervës së posaçme” që kanë nënshkruar kontratë me një “autoritet” misterioz, nuk kanë marrë kompensim për lëndimet e pësuara në fushëbetejë.
Sa i përket ushtarëve që janë plagosur në Krime apo në rajonin e Belgorodit, autoritetet ruse nuk i konsiderojnë këto zona si pjesë e “operacionit të posaçëm ushtarak”, një formulim që Kremlini insiston që të përdoret për të përshkruar luftën në Ukrainë. Por, në këto dy rajone, ka pasur shpërthime dhe granatime.
Grupet ku avokatët ofrojnë ndihmë për personelin ushtarak shpesh bllokohen nga administratorët në rrjetet sociale dhe disa avokatë edhe janë kërcënuar.
“Marr kërcënime anonime: ‘Kemi paraqitur një ankesë kundër jush në FSB, në Zyrën e Prokurorit, përgatitu, ata do të të thërrasin, një task-forcë është nisur drejt teje”, tregoi për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, avokati Maksim Grebenyuk.
Ai është autor i kanalit në Telegram të titulluar “Avokati i Popullit i Ushtrisë”.
Në gusht të vitit 2020, një gjykatë në Moskë e dënoi Vladimir Vorontsovin, autorin e një kanali të ngjashëm në Telegram kushtuar policisë. Ai u dënua me pesë vjet burgim për zhvatje. Kur Grebenyuk kuptoi se REL-i e kishte intervistuar më herët Vorontsovin, ai me shaka tha: “A do të më burgosin edhe mua tani?”.
Në fakt, Grebenyuk mund të përballet me probleme për shkak të aktiviteteve të tij profesionale: Ai aktualisht përfaqëson një ushtar që gjendet në gjyq në Riazan, i cili ka refuzuar që të marrë pjesë në luftime. Karta e identitetit të këtij ushtari është vulosur nga autoritetet dhe në vulë thuhet: “Të prirë drejt tradhtisë, gënjeshtrave dhe mashtrimit”.
Sipas Grebenyuk, pasi nisi gjyqi, një përfaqësues i komandës së njësisë ku klienti i tij shërbente, dorëzoi një ankesë në gjykatën ushtarake në të cilën bëhej thirrje që Grebenyuk të akuzohej për “diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë”.
“Tani ka më shumë ankesa”
Grebenyuk tha se krahasuar me muajin mars dhe prill, kur ai dha intervistat e para për mediat, ai tani pranon më shumë kërkesa nga personeli ushtarak dhe familjarët e tyre. Rajonet, nga të cilat ai merr më shumë kërkesa për ndihmë janë Kaukazi Verior dhe Lindja e Largët e Rusisë.
“Numri i kërkesave është rritur. Janë arritur shumë marrëveshje për shërbime juridike. Tani pranoj rreth 20 deri në 30 mesazhe në ditë, prej të cilave pesë deri në 10 shkojnë në konsultime. Ne arrijmë nga një ose dy marrëveshje për shërbime juridike në ditë. Këtu nuk përfshihen konsultimet apo korrespondencat e thjeshta. Po ashtu, ka shumë komunikim. Nëse çështja është e thjeshtë, tentoj që konsultimet t’i jap falas, nëse është e mundur”, tha ai.
Ankesat për kompensim për shkak të lëndimeve në luftë nuk paguhen dhe këto janë ankesat më të shpeshta.
“Iu them anëtarëve të ushtrisë: Keni një çështje të vështirë. Nuk ka dokumente mjekësore. Le të shkojmë në gjykatë dhe përmes gjykatës dhe ekzaminimeve mjekësore, le të tentojmë të vërtetojmë nëse ka ndonjë diagnozë se lëndimi është shkaktuar nga ‘operacioni i posaçëm’”, tha Grebenyuk.
“Tani ka më shumë personel ushtarak dhe familjarë të tyre që kanë ankesa të tilla”.
Në grupin e Grebenyukut në rrjetin social, VKontakte, ankesa të tilla shfaqen çdo ditë.
Në mëngjesin e 16 majit, në fshatin Majske afër Zhankoit në Krime, u dëgjuan krisma.
Më pas u kuptua se zhurmat u shkaktuan nga shpërthimi i municionit në depon e ushtrisë ruse që gjendet në një vend ku dikur ishte fermë. Banorët e këtij fshati u evakuuan, rrugët u mbyllën dhe linjat hekurudhore midis Zhankoit dhe Kerçit u ndalën. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shpërthimet u shkaktuan nga sabotatorët ukrainas, edhe pse Kievi deri së fundmi kishte refuzuar të merrte përgjegjësinë për këtë shpërthim dhe çdo incident tjetër që ka ndodhur në Krime.
“Mirëmbrëma! Unë jam anëtar i ‘operacionit të posaçëm ushtarak’ në Ukrainë dhe jam plagosur nga predhat pas shpërthimit në fshatin Majske [Krime]. A më takon të pranoj pagesë presidenciale?”, shkroi një ushtar në grupin e Grebenyukut.
“Menjëherë pasi jam plagosur më kanë dërguar në një spital civil në Zhankoi ku i jam nënshtruar një operacioni. Më pas më kanë dërguar në Simferopol e pastaj në një spital në Grozni. Mësova për këtë pagesë dhe për dokumentet mjekësore në Grozni. Të gjithë doktorët thanë se ishte e nevojshme që të merrja një certifikatë për lëndimet në Zhankoi, por atje isha në spital civil dhe krejt çfarë më dhanë doktorët ishte një dokument përmbledhës për lëshim nga spitali”.
Ndërkaq, ushtarakët më me përvojë, në seksionin e komenteve u përgjigjën se certifikata nuk luan rol të madh: Pasi që ky ushtar ishte plagosur në Krime, gadishull të cilin autoritetet ruse e konsiderojnë pjesë të Rusisë, atij nuk i takon që të përfitojë kompensim.
Grebenyuk pajtohet.
“Sigurisht, në këtë rast do të jetë shumë problematike që ai të përfitojë kompensim sepse nuk është e qartë se pse u plagos. Me shumë gjasa, ai po ruante depon e municionit. Për më tepër, ka shumë rëndësi nëse njësia e tij ishte pjesëmarrëse në ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”, tha Grebenyuk.
“Për shembull, marinsat e luftanijes së fundosur Moska, po ashtu nuk u njohën si pjesëmarrës në ‘operacionin e posaçëm’ sepse ata nuk ishin duke lundruar në ujërat e Ukrainës – pra, ata ishin në territorin e tyre. Më pas, në mënyrë retroaktive ata u futën në listat e njësive ushtarake që u përfshinë në ‘operacionin e posaçëm’. Atyre nuk u janë dhënë të gjitha pagesat – për plagosje, për vdekjen e pjesëtarëve të personalit – por, në këto raste autoritetet kanë pranuar vdekjen e personelit”, tha ai.
Ai shpjegoi se, zyrtarisht, “operacioni i posaçëm ushtarak” po zhvillohet vetëm në pjesë të Ukrainës që fillimisht ishin kontrolluar nga Kievi dhe në territoret separatiste në Donjeck dhe Luhansk.
“Por, kjo nuk nënkupton se lëndimet e pësuara nga ushtarët domosdo duhet të jenë shkaktuar në këto vende. Nëse një njësi ushtarake është e përfshirë në ‘operacionin e posaçëm’, por në një pikë hyn në rajonin e Belgorodit… ose vendoset në Krime, atëherë ushtarët e kësaj njësie duhet të kenë të drejtë të përfitojnë nga pagesat dhe nga ndihmat sociale. Por, nëse ata nuk janë pjesë e listave të njësive që marrin pjesë [në pushtim], dhe ata janë plagosur brenda Rusisë, atëherë ata ushtarë ka të ngjarë që nuk do të përfitojnë nga kompensimet”, shpjegoi Grebenyuk.
Sipas tij, gjetja nëse një njësi është pjesëmarrëse në “operacionin e posaçëm ushtarak” është një gjë e vështirë, por Gebenyuk tha se kjo mund të arrihet përmes kërkesave të dorëzuara nga avokatët.
Ka edhe ankesa të tjera sa i përket marinës, ankesa të cilat janë postuar në grupin e Grebenyukut nga personeli ushtarak. Për shkak të mungesës së këmbësorisë, komandantët rusë duket se po mundohen të mbushin boshllëqet duke vendosur në vija të luftës pjesëtarët e marinës.
“Djema, ka pasur raste kur marinsat janë larguar me forcë nga anijet dhe janë dërguar në njësitë e këmbësorisë të ‘operacionit të posaçëm’. Ata thonë se ose duhet t’i bindemi urdhrit ose do të na përjashtojnë nga puna. Unë jam më i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh në Flotën Veriore”, shkroi më 5 shtator një pjesëtar i marinës ruse në grupin e Grebeneyukut.
Më 6 shtator, gazetari ukrainas, Roman Tsymbalyuk, shkroi në Facebook se marina ruse nuk po arrin që të gjejë personel të mjaftueshëm për të formuar një ekip për anijen e saj të madhe, Admiral Chabanenko, anije që është dërguar në Severodvinsk. Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se kërkesa kryesore është që marinsat të nënshkruajnë një dokument ku thonë se janë të gatshëm të marrin pjesë në “operacionin e posaçëm ushtarak” dhe sepse shumë nga marinsat janë mësuar me operacionet luftarake si pjesë e këmbësorisë, dhe rekrutët e rinj po kanë frikë që të nënshkruajnë një dokument të tillë.
“Vullnetarët” dhe “Vagneritët”
Shumica e personelit të ri janë “vullnetarët”, përfshirë ata që janë rekrutuar për të marrë pjesë në luftën në rajonet ruse përmes programit të Posaçëm të Ushtrisë Luftarake Rezervë (BARS).
Ata me dëshirë nënshkruajnë “kontrata” dhe nuk marrin as kopje të tyre. Më pas, këta persona e kuptojnë se ushtria ruse nuk i konsideron as pjesë të personelit ushtarak dhe ata nuk përfitojnë nga mbrojtja sociale, apo bonuset që jepen për personelin ushtarak, siç janë kreditë e favorshme.
“Asnjë nga pjesëtarët e programit BARS nuk më ka treguar ndonjë kontratë të nënshkruar. Ata nënshkruajnë forma të zbrazëta të kontratës me një lloj ‘autoriteti’ dhe atyre nuk iu jepet ndonjë kopje e kontratës. Unë po e ndihmoj njërin prej tyre: Sapo kam bërë një kërkesë për regjistrin ushtarak dhe për listat zyrtare në njësinë ushtarake, në të cilën ai ka shërbyer. Pra, ne presim që ata të na tregojnë neve kontratën dhe të shpjegojnë statusin e tij, që për mua është i paqartë”, tha Grebenyuk.
“Programi BARS është krijuar nga Ministria e Mbrojtjes, por ende është e paqartë nëse ata kanë një organizatë, ndonjë lloj entiteti ligjor, ose se çfarë strukture ka ky program nëse i njëjti është pjesë e ministrisë. Ka të ngjarë që ata nuk janë pjesë e personelit ushtarak dhe nuk kanë të drejta të përfitojnë nga skemat sociale të shtetit”.
Sipas Grebenyukut, vullnetarët e rekrutuar për të luftuar në Ukrainë përmes kontraktorit ushtarak, Grupit Vagner, përballen me të njëjtat probleme.
“Statusi i ashtuquajtur ‘Vagner PMC’ është po ashtu i paqartë për mua, jo vetëm për mua, por për shumë njerëz. Së fundmi, nëna e një ‘vagneriti’ më kontaktoi dhe tha se djali i saj ka vdekur në Popasna [në lindje të Ukrainës] dhe ajo tha se nuk ka pranuar asnjë pagesë. Tani unë kam dërguar kërkesa. Do të tentoj të kuptoj nëse ky grup ende është i lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes. Nëse janë, atëherë pjesëtarët e këtij grupi kanë të drejtë të përfitojnë nga skemat sociale, por nëse nuk kanë lidhje me ministrinë, atëherë ka pak të ngjarë që të përfitojnë këto skema”.
Një ofertë që nuk duhet refuzuar
Një numër i madh i ankesave dhe pyetjeve në grupin “Avokati i Popullit i Ushtrisë” vijnë nga ushtarët, të cilët janë dëshpëruar me luftën në Ukrainë dhe më nuk duan të jenë pjesë e saj. Problemi qëndron në atë se në momentin kur një ushtar i kontraktuar deklaron se nuk ka dëshirë të luftojë, autoritetet i ndalin pagat për të, madje ndalin edhe paratë që ushtari veçse i ka fituar.
• “Kontrata e burrit tim ka skaduar. Ata nuk duan ta sjellin në shtëpi. Si të shkruaj një ankesë në Zyrën e Prokurorit?”.
• “Ju lutem më tregoni se si mund të jap dorëheqje në mënyrën e duhur. Aktualisht jam në spital, por kur të kthehem në njësinë time dhe kur ata të nisin procedurat për të më dërguar në Ukrainë, dhe nëse unë refuzoj duke u thirrur në shëndetin tim, a do të përjashtohem [për shkak të dështimit për të përmbushur pikat e kontratës?]”.
• “A mund të ma përshkruani procesin: Nëse ata do të më përjashtojnë nga puna [për shkak të dështimit për të përmbushur pikat e kontratës] për shkak të refuzimit për të shkuar në Ukrainë, çfarë duhet të bëj që të kem veshje dhe pushim?”.
Siç tha Grebenyuk, nëse një ushtar refuzon të marrë pjesë në luftën në Ukrainë, ai ka pak gjasa që t’i marrë paratë që ka fituar. Në anën tjetër, ai tha se nuk ka asnjë rast penal të iniciuar ndaj ndonjë ushtari për shkëputje të kontratës.
“Sapo të arrijnë atje, për shembull, vijnë nën zjarr, ata ndryshojnë qëndrim ndaj asaj që po ndodh dhe vendosin që të refuzojnë që të marrin pjesë më tej [në operacion]. Pasi ata refuzojnë të marrin pjesë, të drejtat e tyre janë shumë të kufizuara, si për ushtarët e rregullt, ashtu edhe për vullnetarët”, tha Grebenyuk.
“Ajo që ka rëndësi është lokacioni ku ushtarët apo vullnetarët refuzojnë të marrin pjesë në ‘operacionin e posaçëm ushtarak’. Nëse një ushtar gjendet në një njësi me dislokim të përhershëm në Rusi, ai mund të përjashtohet për shkak të ‘dështimit për të përmbushur pikat e kontratës’. Ai ushtar, në këtë rast, shkel kontratën dhe është subjekt i lirimit të parakohshëm nga ushtria”.
“Komandantët, natyrisht, po merren me ushtarët, duke tentuar që t’iu shpjegojnë se refuzimi i tyre mund të përbëjë shkelje penale, por deri më tani nuk ka asnjë rast penal në Rusi për refuzim të pjesëmarrjes në ‘operacionin e posaçëm”, shtoi ai.
“Dhe, nëse ju veçse jeni në Ukrainë, atëherë refuzimi mund të sjellë pasoja të rënda. Mediat kanë raportuar lidhur me kampet në Brijanka, Krasni Luç dhe ‘bodrume’ të tjera. Këta ushtarë shpesh burgosen në mënyrë joligjore dhe janë subjekt i dhunës”.
Në gusht, pas një sërë apelesh të dorëzuara nga Grebenyuk, kampet ku mbahen “ushtarët që refuzojnë të luftojnë” që gjenden në Krasni Luç dhe në pjesë të tjera në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, u mbyllën. Ka pasur thashetheme se “500-shat” (term ushtarak për ata që refuzojnë të marrin pjesë në luftë) në këto kampe janë ruajtur dhe janë rrahur nga trupat e grupit Vagner.
Sipas Grebenyukut, ushtarët që po refuzojnë të luftojnë kanë kërkuar nga ai këshilla që nga fillimi i luftës. Tani, numri i ankesave të tilla, tha ai, është rritur, por është e vështirë të thuhet se sa është numri i tyre për shkak të dështimeve të ushtrisë ruse në Ukrainë, por edhe për shkak se numri i ankesave të tilla është rritur në përgjithësi.
Por, pse kaq shumë ushtarë rusë duan që t’i shkëpusin kontratat? Përgjigja e kësaj pyetjeje mund të gjendet lehtë në grupin “Avokati i Popullit i Ushtrisë”: Ushtria, teksa po përballet me mungesë të personelit, po lufton “duke u arnuar”. Shumë ushtarë dhe zyrtarë nuk janë bërë pjesë e rotacionit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
“Ju lutem më tregoni nëse burri im mund të dërgohet nga Ukraina për të shërbyer në shtëpi nëse ai ka dy fëmijë të vegjël [njëri 3 vjeç, e tjetri katërmuajsh]. Para një viti, ne u zhvendosëm në një qytet të ri dhe prindërit e mi vinin dhe më ndihmonin me fëmijët, por tani kam mbetur vetëm me fëmijët. Ndoshta ka ndonjë privilegj, ndonjë ligj, përmes të cilit babai i fëmijëve mund të kthehet në shtëpi për të shërbyer. Ai është atje që nga shkurti”, pyeti gruaja e një ushtari.
Grebenyuku tha se nuk ka asnjë mënyrë ligjore që një ushtar të kërkojë largimin nga “operacioni i posaçëm ushtarak”.
“Ky është një problem shumë i shpeshtë. Fatkeqësisht, unë ua shpjegoj familjarëve të personelit ushtarak se ata nuk kanë të drejtë të rotacionit. Ka urdhra nga Ministria e Mbrojtjes që thotë se personeli ushtarak nuk mund të jetë në mision më shumë se një vit pa pasur të drejtë që të kthehet në shtëpi. Nëse ka ndonjë rrethanë familjare – ndonjë anëtar i familjes është i sëmurë rëndë, nëse ushtari ka shumë fëmijë, për shembull ka disa fëmijë të vegjël –atëherë ushtari mund të kërkojë lirim nga detyra për arsye familjare, përfshirë edhe nga ‘operacioni i posaçëm ushtarak’”, tha ai.
“Por, nëse nuk ka arsye të forta për ndonjë sëmundje apo ndonjë shkak tjetër, atëherë vetëm komandantët mund të vendosin nëse duan ta zëvendësojnë një ushtar”, tha Grebenyuk. “Kjo është e drejtë ekskluzive e komandantëve. Ata, sikurse edhe gjeneralët në filmin e famshëm sovjetik për Vasily Ivanovich Chapayev, ‘lëvizin patate në hartë’ dhe ata vendosin se kush shkon në betejë, kush zëvendësohet dhe kush pushon. Është e pamundur që kjo të kërkohet përmes formave ligjore”./rel
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’
Stjuardesa e ‘British Airways’ përballet me shkarkimin nga p...