Pentagoi akuzoi Rusinë se ka vendosur me gjasë një armë hapësinore në të njëjtën orbitë ku ndodhet dhe një satelit i qeverisë amerikane.
“Rusia lëshoi një satelit në orbitën e ulët të Tokës që ne vlerësojmë se ka të ngjarë të jetë një armë hapësinore, me gjasë e aftë për të sulmuar satelitë të tjerë që ndodhen aty”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali i Forcave Ajrore Pat Ryder, në një konferencë shtypi të martën vonë.
“Arma hapësinore” ruse e lëshuar më 16 maj u vendos “në të njëjtën orbitë me një satelit të qeverisë amerikane”, shtoi ai.
Zëdhënësi Ryder shtoi se Uashingtoni do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të mbrojë interesat e tij.
“Ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë interesat tona hapësinore dhe të sigurojmë mbështetje të vazhdueshme dhe të pandërprerë për Forcën e Përbashkët dhe të Kombinuar”, tha ai.
Më herët gjatë ditës së martë, Moska akuzoi Shtetet e Bashkuara se po kërkonin të vendosnin armë në hapësirë, pasi Uashingtoni i vuri veto një propozimi rus në Kombet e Bashkuara, kundër përhapjes së armëve.
“Ata kanë treguar edhe një herë se përparësitë e tyre reale në fushën e hapësirës nuk synojnë të mbajnë hapësirën pa armë të çfarëdo lloji, por të vendosin armë aty dhe ta shndërrojnë hapësirën në një arenë konfrontimi ushtarak”, thuhej në një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.
Muajt e fundit, fuqitë botërore kanë shkëmbyer akuza të shumta mbi përpjekjet për të militarizuar hapësirën.
Ato kanë bërë propozime rivale në Kombet e Bashkuara si pjesë e masmarrëveshjeve mbi këtë çështje.
Rusia vuri veton ndaj nismës së Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar, ndërsa në një votim të hënën, propozimi i Moskës u bllokua nga Uashingtoni, Londra dhe Parisi.
I dërguari amerikan në OKB, Robert Wood tha se propozimi i Rusisë, që u bënte thirrje të gjitha vendeve të “marrin masa urgjente për të parandaluar përgjithmonë vendosjen e armëve në hapësirë”, ishte një përpjekje për shpërqendrim dhe akuzoi Moskën për “manipulim diplomatik”.
Ai tha se arma “e mundshme” kundër-hapësinore e Rusisë ishte “me gjasë e aftë të sulmonte satelitë të tjerë në orbitën e ulët të Tokës”.
“Rusia e vendosi këtë armë të re kundër-hapësinore në të njëjtën orbitë ku ndodhet një satelit i qeverisë amerikane”, tha ai në komentet përpara votimit të së hënës.
“Veprimi i Rusisë më 16 maj pason lëshime të mëparshme të satelitëve rusë, me gjasë armë hapësinore, në orbitën e ulët të Tokës, në vitin 2019 dhe 2022”, shtoi ai.
Në shkurt, Shtëpia e Bardhë tha se Rusia po punonte për të prodhuar një armë kundër satelitëve, ekzistenca e së cilës u konfirmua pasi ligjvënësit paralajmëruan për një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare, por pa dhënë detaje./voa/
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...